Arratisja e Altin Ndocit trondit drejtësinë/ 3 zyrtarë në burg, masa më të buta për të tjerët – vendimi i Gjykatës së Durrësit

Data

Gjykata e Durrësit ka dhënë masat e sigurisë për tetë zyrtarët e arrestuar pas arratisjes së bujshme të Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit më 13 janar 2026. Edhe pse Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg” për të gjithë të dyshuarit, trupa gjykuese vendosi masa të diferencuara, duke treguar më shumë butësi për disa prej tyre.

Në masën “arrest në burg” u lanë zv/shefi i Policisë së Burgjeve në Durrës, Dezdemon Pazaj, si dhe dy efektivët që shoqëronin të burgosurin ditën e arratisjes, Sali Feçollari dhe Fatjon Baçi.

Ndërkohë, masa “arrest në shtëpi” u caktua për specialisten e informacionit Violeta Uka dhe kryeinfermierin e repartit infektiv Aulon Çuku. Për tre gardianët e tjerë – Arianit Çela, Preng Marvataj dhe Dorjan Saraçi – gjykata vendosi masën “detyrim paraqitjeje”.

Në kuadër të të njëjtës çështje, më 16 janar u arrestua edhe ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, ndërsa për mjeken e burgut, Ylfete Sema, e cila kishte rekomanduar dërgimin e Ndocit në spital, u vendos masa e arrestit shtëpiak.

Altin Ndoci u arratis mesditën e 13 janarit nga ambientet e Spitalit të Durrësit, duke përfituar nga shkelja e protokolleve të sigurisë. Ai doli me vrap nga spitali dhe u largua me një automjet luksoz tip “Audi”, që e priste në parkim, duke humbur më pas gjurmët në zonën e Spitallës.

Prokuroria vijon hetimet për të zbardhur përgjegjësitë e plota, si për shkeljen e procedurave të sigurisë gjatë transportimit dhe ruajtjes së të burgosurit, ashtu edhe për dyshimet se arratisja është planifikuar më herët brenda institucionit. Ndoci ishte arrestuar në vitin 2020 në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, i akuzuar për vrasje me pagesë, grabitje dhe trafik droge për llogari të një grupi kriminal.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related