Ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, del sot para Gjykatës së Durrësit, pas arrestimit të tij lidhur me arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci. Gjykata ka caktuar më 16 janar masën e sigurisë “arrest në burg” për Cërlojn, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.
Po sot pritet të vendoset masa edhe për mjeken Ylvete Sema, 65 vjeçe, ndaj së cilës është dhënë masa “arrest shtëpie”.
Pak ditë më parë, ministri i Drejtësisë firmosi shkarkimin e Indrit Cërloj nga detyra e drejtorit të IEVP Durrës. Vendimi erdhi një ditë pas arratisjes së Altin Ndocit, i cili ishte dërguar për kontroll mjekësor në spitalin e qytetit dhe arriti të largohej gjatë shoqërimit.
Pas ngjarjes, u pezullua i gjithë zinxhiri komandues i institucionit. Nga verifikimet paraprake rezulton se IEVP Durrës nuk ka raportuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Në kuadër të hetimeve, në pranga janë vënë edhe 8 punonjës të Policisë së Burgjeve dhe staf shëndetësor i IEVP Durrës, për shkak të dyshimeve për shkelje të rënda procedurale që çuan në arratisjen e të paraburgosurit.
