Kryetari i Kontrolli i Lartë i Shtetit, Arben Shehu, ka evidentuar një sërë problematikash në menaxhimin e financave publike në raportin e performancës për vitin 2025.
Sipas tij, auditimet kanë nxjerrë në pah dobësi sistemike që cenojnë përdorimin e fondeve publike dhe administrimin e pasurisë shtetërore. Problemet kryesore lidhen me:
- pasaktësi në raportimin financiar
- mangësi në pasqyrimin e aktiveve dhe detyrimeve
- klasifikim të gabuar të zërave kontabël
Gjithashtu, janë evidentuar dobësi të vazhdueshme në fusha të ndjeshme si prokurimet publike, menaxhimi i kontratave dhe disiplina buxhetore.
Në aspektin e performancës, raporti thekson mungesën e fokusit në rezultate konkrete dhe të matshme, ndërsa në teknologjinë e informacionit janë konstatuar nevoja për përmirësim të sigurisë dhe kapaciteteve menaxhuese.
Një nga sfidat kryesore, sipas Shehut, mbetet zbatimi i rekomandimeve. Edhe pse institucionet i pranojnë në masë të madhe, ritmi dhe cilësia e zbatimit mbeten të ulëta dhe kërkojnë më shumë angazhim.
Ai theksoi se KLSH do të vijojë të forcojë monitorimin dhe bashkëpunimin institucional për të siguruar që rekomandimet të përkthehen në përmirësime konkrete në administratë.
Raporti përkon edhe me 100-vjetorin e krijimit të institucionit, duke u konsideruar si një moment reflektimi mbi rolin e tij në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe mirëqeverisjes në vend.
