Arabia Saudite ka dëbuar disa diplomatë të Iranit, duke i shpallur “persona non grata” dhe duke u dhënë 24 orë afat për t’u larguar nga vendi.
Mes tyre janë atasheu ushtarak i ambasadës iraniane, ndihmësi i tij dhe tre anëtarë të tjerë të misionit diplomatik. Ky vendim konsiderohet një përshkallëzim i fortë diplomatik mes Riad dhe Teheranit.
Autoritetet saudite e justifikuan këtë hap me sulmet e fundit me raketa që i atribuohen Iranit ndaj territorit dhe infrastrukturës energjetike të vendit, duke deklaruar se këto veprime kanë “shkatërruar besimin” mes dy shteteve.
Vendimi vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje, për shkak të përplasjes mes Iranit dhe një koalicioni të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga vende të tjera të Gjirit. Katari ka dëbuar më herët diplomatë iranianë pas një sulmi që goditi një nga objektet kryesore të gazit në vend.
Situata sinjalizon një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve në rajon, me rrezik të shtuar për një konflikt më të gjerë.
