Hakmarrja ishte baza e fushatës së Donald Trump. Tani ai është gati për ta realizuar atë.
Për vite me radhë, Trump i ka mbushur fjalimet dhe postimet në mediat sociale me thirrje hakmarrëse për kundërshtarët politikë, kritikët dhe anëtarët e medias.
Trump kërkon që ata të ndiqen penalisht, të mbyllen, të deportohen dhe madje të ekzekutohen.
Në javët e fushatës së 2024-ës, ai i përshkallëzoi ato premtime hakmarrjeje.
Shumë mbështetës të Trump-it i hodhën poshtë kërcënimet si retorikë të fushatës.
Por të tjerët – duke përfshirë disa nga këshilltarët më të afërt të Trump – kanë paralajmëruar se ai ka më tepër gjasa të vazhdojë hakmarrjen në një mandat të dytë.
Bazuar në fjalët e vetë Trump-it, këtu janë njerëzit që duhet të frikësohen (skedë e realizuar nga prestigjiozja Politico).
Presidenti, Joe Biden
Trump e ka quajtur shpesh Biden-in të korruptuar dhe, në qershor, ripostoi një mesazh në Truth Social që thoshte se ai duhet të “arrestohej për tradhti”.
“Unë do të emëroj një prokuror special të vërtetë për të ndjekur presidentin më të korruptuar në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe të gjithë familjen e krimit”, tha ai në një fjalim vitin e kaluar.
Zëvendëspresidentja, Kamala Harris
Trump e ka përshkruar dështimin e Harris-it për të kontrolluar emigrimin si aq të rëndë sa njerëzit janë “vrarë për shkak të veprimit të saj në kufi”.
Ai tha në një tubim në shtator se Harris “duhet të fajësohet dhe të ndiqet penalisht” për rolin e saj në një “pushtim” të SHBA-ve nga emigrantë pa dokumente.
Ish-presidenti, Barack Obama
Në vitin 2020, Trump e akuzoi Obama-n për “tradhti” – për atë që Trump e përshkruan si mbikëqyrjen e FBI-së ndaj fushatës së tij presidenciale të vitit 2016.
Në fakt, “spiunimi” i emailit kishte për qëllim një ish-këshilltar për politikën e jashtme në atë fushatë.
