Analiza e VOA-s/ Kina synon të forcojë marrëdhëniet me Rusinë, ja shkaku kryesor

Data

Vizita katër ditore e Kryeministrit kinez Li Qiang në Rusi dhe Bjellorusi këtë javë synon, sipas analistëve, të thellojë bashkëpunimin mes të dy vendeve dhe të forcojë marrëdhëniet ndërmjet Pekinit dhe Moskës, ndërkohë që marrëdhëniet e tyre tregtare po tregojnë shenja të rënies.

Analistët thonë se Pekin shpreson që përmes vizitës së zotit Li të sigurojë Moskën që marrëdhëniet dypalëshe do të mbesin pozitive, si dhe t’i bëjë thirrje Rusinë të parandalojë përshkallëzimin e luftës ndaj Ukrainës, përkundër rezultateve që dyja palët kanë shënuar në fushëbetejë gjatë ditëve të fundit.

“Kina dëshiron të sigurojë Rusinë se çështjet në marrëdhëniet e tyre dypalëshe në aspektin ekonomik dhe tregtar, janë vetëm çështje logjistike, ndërkohë që dëshiton të përcjellë mesazhin se Pekini nuk dëshiron të shoh një përshkallëzim në konfliktin e Ukrainës dhe Rusisë”, i tha Zërit të Amerikës, analisti Philip Ivanov pranë Institutit për Politikat për Azinë.

Kryeministri Li e filloi vizitën në Moskë të martën dhe do ta përfundojë të premten, krahas një ndalese në Bjellorusi.
Gjatë takimit me zotin Li të mërkurën, Presidenti rus Vladimir Putin lavdëroi marrëdhëniet e shtuara tregtare ndërmjet Kinës dhe Rusisë dhe tha se përpjekjet “dypalëshe” kanë “dhënë rezultate pozitive.”

“Shtetet tona kanë zhvilluar plane të përbashkëta të nivelit të lartë dhe projekte në sferën ekonomike dhe humanitare, të cilat do të vazhdojnë ndër vite”, deklaroi zoti Putin, duke shtuar se marrëdhëniet dypalëshe tregtare nuk janë vetëm duke u zhvilluar, “por ato po lulëzojnë.”

Zoti Li u përgjigj duke thënë se Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin dypalësh përmes inovacionit shkencor dhe industrial, ndërkohë që propozoi që të dyja palët që të thellojnë këmbimet kulturore, turistike dhe arsimore.
Veç zotit Putin, zoti Li u takua edhe me kryeministrin rus Mikhail Mishustin dhe të dy palët u pajtuan të çojnë përpara marrëdhëniet në sektorë të rinj, siç janë ekonomia digjitale dhe zhvillimi i industrisë së gjelbër.

Përkundër optimizmit të shprehur nga zyrtarët kryesorë të të dyja vendeve, marrëdhëniet dypalëshe tregtare ndërmjet Kinës dhe Rusisë janë ndërlikuar gjatë muajve të fundit, për shkak të, siç njoftohet, vendimit të shumë bankave kineze që të refuzojnë pagesat direkte nga entitetet ruse në monedhën kineze yuan dhe për të rritur vlerën e këmbimit të yuanit në rubël, monedhën zyrtare ruse.

Ndërkohë, sipas njoftimeve të mediave, eksportet kineze për në Rusi duhet të kalojnë nëpër shtete të treta, siç Kazakistani apo Kirgistani, për t’iu shmangur sanksioneve të imponuara ndaj Rusisë.
Kjo situatë ka shkaktuar një rënie të rëndësishme të eksporteve kineze drejt në Rusisë këtë vit.

Sipas analistit Ivanov, këto ndërlikime tregtare kanë shkaktuar probleme serioze për Rusinë tani që Moska është bërë “pothuajse plotësisht e varur” nga importet kineze, siç janë pjesët e automobilëve dhe për fabrika, për të mbajtur gjallë ekonominë e saj dhe furnizimin për luftë që nga fillimi i konfliktit në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

“Pres që problemet ekonomike në marrëdhëniet dypalëshe do të mbizotërojnë diskutimet (ndërmjet zotit Li dhe zyrtarëve rusë) dhe ndonëse mund të ketë përparim, nuk pres që ai të jetë thelbësor, meqë disa nga këto çështje nuk zgjidhen lehtë”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Marrëdhëniet politike dhe strategjike
Vizita e zotit Li vjen mes përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin strategjik në mes dy vendeve.
Ndërkohë që Rusia vazhdon të luftojë kundër forcave ukrainase në fushëbetejë, Kina dhe Rusia së fundmi kanë bërë patrullime të përbashkëta në zonat në afërsi të Alaskës dhe Japonisë dhe bënë një stërvitje të përbashkët detare në Detin e Kinës së Jugut.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related