Analiza e DW: Në SHBA fushata zgjedhore kushton miliarda dollarë! Kush janë donatorët dhe sa ndikim ka ekonomia?

Data

Në SHBA fushata zgjedhore kushton miliarda. Paratë vijnë nga donatorë të vegjël, nga miliarderë dhe ata që drejtojnë ekonominë, të cilët shpresojnë të rrisin ndikimin. A fiton ai që ia del të mbledhë më shumë para?

Në asnjë vend tjetër të botës nuk derdhen aq shumë para në fushatën zgjedhore presidenciale sa në SHBA. Në vitin 2020, kur u zgjodh Joe Biden, ai dhe i munduri Donald Trump patën shpenzuar së bashku rreth 5,7 miliardë dollarë në fushatë. Ky ishte një rekord, dy herë më i lartë se në zgjedhjet e mëparshme, thotë organizata Open Secrets, që dokumenton donacionet e fushatave.

Edhe në këto zgjedhje makineria e grumbullimit të parave po funksionon si sahat. Vetëm në muajin korrik Kamala Harris tha se mori 310 milionë dollarë donacione. Në të njëjtën periudhë Donald Trump pohoi se kishte marrë 138 milionë dollarë donacione, njofton Reuters.

Donatorët e mëdhenj shpesh kanë dëshira

Fushata nuk financohet vetëm nga donatorë të vegjël – dy kundërshtarët marrin vazhdimisht miliona nga super të pasurit, të cilët shpesh qëndrojnë prapa kompanive tregtare. Miliarderi George Soros dhe djali i tij Aleks mbështesin kandidaten demokrate Kamala Harris. Familja Soros njihet si një donatore e madhe, që shpenzon dhjetëra milionë dollarë për fushatën zgjedhore.

Reid Hoffman, një sipërmarrës i shquar, bashkëthemelues i platformës Linkedin dhe anëtar i bordit të Microsoft, dhuroi 7 milionë dollarë për demokratët. Në një intervistë për CNN ai tha, se shefja e entit amerikan për Mbikqyrjen e Konkurrencës (FTC), Lina Khan, nuk është e mirë për SHBA-në. Ai shtoi: “Shpresoj që zëvendëspresidentja Harris ta zëvendësojë atë”.

Donald Trump merr gjithashtu ndihma nga drejtues të rëndësishëm të ekonomisë. Miliarderi Timothy Mellon shpenzoi 50 milionë dollarë në maj për të mbështetur Trumpin, informon revista amerikane Time. Edhe investitori i teknologjisë David Sacks dhe shefi i Tesla-s, Elon Musk e mbështesin Trumpin. Në një bisedë mes Elon Musk dhe Donald Trump në platformën X më 13 gusht 2024, Musk përsëriti mbështetjen e tij për republikanin dhe madje u ofrua të punonte në një qeveri të mundshme Trump. “Mendoj se do të ishte mirë të kishim një komision për efikasitetin e qeverisë, që i sheh këto gjëra dhe garanton që paratë e taksapaguesve shpenzohen me vend”, tha Musk. “Do të isha i lumtur të shërbeja në një komision të tillë”.

Miliona donacione mund të rrjedhin përmes rrugëve të tërthorta

Për dekada është diskutuar për kufizimin e donacioneve në fushatat zgjedhore. Në vitin 2010 Gjykata e Lartë e SHBA nxori një vendim, që është i vlefshëm edhe sot. Kjo ka qenë një pikë kthese, thotë Jërg Hebenstreit, studiues në Universitetin e Jenës për politikën e brendshme të SHBA dhe financimin e fushatës. Gjykata përcaktoi se çdo kufizim i financimit të fushatës politike është censurë dhe si rrjedhojë i paligjshëm. “Kjo do të thotë, se që nga viti 2010 mund të mbledhësh donacione sa të duash, si kompani, si bankë, si sindikatë, si grup interesi apo si individ i pasur”, thotë Hebenstreit për DW.

Për donacionet direkte për kandidatët ka megjithatë kufizime. Nga një individ mund të dhurohet aktualisht një maksimum prej 6.600 dollarësh. Por ekziston mundësia që kandidatit të preferuar paratë t`i dërgohen përmes Political Action Committees, të ashtuquajturat PAC.

PAC-të janë organizata për mbështetjen e kandidaturës së një personi të caktuar. Ato zakonisht themelohen nga kompani, sindikata ose grupe interesi, që mbledhin ndihma nga anëtarët ose punonjësit e tyre. Por edhe këtu ka kufizime. Anëtarët apo punonjësit mund të dhurojnë deri në 5.000 dollarë në vit për PAC-të. Asnjë para nuk lejohet të rrjedhë nga operatori i PAC-së, pra nga kompania, sindikata apo vetë grupi i interesit. Përveç kësaj individët e veçantë lejohen të dhurojnë 41.300 dollarë në vit për organizatat kombëtare partiake.

Miliona donacione përmes Super PAC-ve

Pa kufizim mund të mblidhen donacione përmes Super Political Action Commitees. Super PAC-të janë grupe lobimi të pavarura, që u krijuan gjithnjë e më shumë pas vitit 2010. Ato mund të grumbullojnë shuma të pakufizuara parash – nga individë, kompani dhe çdo donator tjetër. Megjithatë ato nuk lejohen t’ua kalojnë paratë kandidatëve, por të bëjnë publicitet në interes të kandidatëve. Kërkesa e vetme është, që publiciteti i tyre të mos “koordinohet” me zyrën e fushatës së kandidatit që mbështesin.

“Ajo që ata shpenzojnë, është e llahtarshme. Nuk e njihnim diçka të tillë më parë”, thotë amerikani James Davis, profesor i shkencave politike në Universitetin e St. Gallen. Kandidatët e dinë saktësisht, se cilat Super PAC janë në anën e tyre dhe kush qëndron pas këtyre donacioneve, thotë Davis. Këtë vit ka 2.257 SuperPAC, që kanë mbledhur ndërkohë mbi 2 miliardë dollarë dhe kanë shpenzuar afro 700 milionë dollarë.

E përcakton madhësia e buxhetit të fushatës se kush bëhet president?

Por çfarë efekti kanë milionat e dollarëve, që derdhen në fushatën zgjedhore? “Të dy kandidatët janë përgjithësisht të njohur. Dhe nëse investojnë 100 milionë më shumë në fushatën zgjedhore, kjo fundja nuk ka ndikim në rezultatin aktual të zgjedhjeve”, thotë Hebenstreit.

“Sigurisht që duhet një minimum donacionesh për të ndërtuar një organizatë partiake për fushatën zgjedhore”, thotë Davis për DW. “Dhe është shumë e rëndësishme të motivohen njerëzit, për të shkuar në qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve. Kjo kushton.”

„Në fund është e rëndësishme të kemi një mesazh, që siguron vota”, thotë eksperti politik. Edhe donatorët e vegjël janë shumë të rëndësishëm për partitë, sepse pas çdo donacioni të vogël qëndron një votë. “Një miliarder mund të dhurojë disa milionë dollarë, por megjithatë hedh vetëm një votë në kutinë e votimit”, thotë Davis. Një vështrim në të kaluarën tregon se vetëm paratë nuk mjaftojnë. Hillary Clinton mblodhi dukshëm më shumë para se Donald Trump në fushatën zgjedhore të vitit 2016, megjithatë ajo humbi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related