Analisti grek godet rikthimin e Tsipras me partinë ELAS: Bëri bujë me emrin, por nuk solli asgjë të re për qytetarët

Data

Rikthimi në skenën politike i ish-kryeministrit grek Alexis Tsipras me partinë e re Aleanca e Majtë Greke (ELAS) ka shkaktuar debat të gjerë në Greqi. Megjithatë, sipas analistit politik grek Sakis Moumtzis, suksesi i deritanishëm i Tsipras lidhet më shumë me strategjinë e komunikimit sesa me ndonjë ofertë të re politike.

Në një opinion të publikuar në  Kathimerini, Moumtzis argumenton se prezantimi i partisë së re arriti të dominojë debatin publik dhe të tërheqë vëmendjen e mediave, por jo për shkak të ideve apo programit të saj.

Sipas tij, diskutimi publik u fokusua pothuajse tërësisht te emri “ELAS”, i cili ngjall asociacione historike me Ushtrinë Popullore Çlirimtare Greke të Luftës së Dytë Botërore, por edhe me vetë emrin e Greqisë, “Ellas”.

“Askush nuk u ndal te premtimet për taksimin e pasurisë apo koncepti i patriotizmit të ri. Këto janë ide që janë dëgjuar edhe më parë. Debati u përqendrua vetëm te emri”, shkruan analisti.

Moumtzis vlerëson se Tsipras kishte nevojë për një rikthim spektakolar në politikë dhe emri i partisë së re ia arriti këtij qëllimi. Megjithatë, ai paralajmëron se efekti mediatik nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe se shumë shpejt qytetarët do të kërkojnë përgjigje konkrete për problemet ekonomike dhe sociale.

Analisti thekson se ish-kryeministri nuk ka paraqitur ndonjë vizion thelbësisht të ndryshëm nga ai që promovoi gjatë viteve të kaluara në politikën greke. Sipas tij, Tsipras provoi të afrohej me qendrën e majtë, por e braktisi këtë përpjekje pasi kuptoi se një ndryshim i tillë kishte kosto politike.

Në fund të analizës, Moumtzis shprehet skeptik për të ardhmen e ELAS, duke argumentuar se emri mund të krijojë jehonë përkohësisht, por mbështetja afatgjatë do të varet nga programi politik dhe aftësia e Tsipras për të bindur votuesit se ka diçka të re për të ofruar. Ai përfundon se sfida e vërtetë për liderin e majtë sapo ka filluar, tani që vëmendja publike po kalon nga simbolika te përmbajtja.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related