Ambasadori shqiptar në Ukraine, Ernal Filo, ka raportuar nga Kyiv mbi pasojat e sulmeve të fundit ruse, të cilat goditën edhe kompleksin rezidencial ku ai banon.
Sipas diplomatitt shqiptar, situata gjatë ditës është aktualisht më e qetë, ndërsa autoritetet ukrainase po punojnë në terren për evidentimin e dëmeve dhe viktimave.
“Deri tani rezulton që janë dy të vdekur dhe 28 të plagosur. Kjo është normale. Zakonisht, kur ka sulme të tilla masive, pjesa e ditës deri në mbrëmje është kryesisht e qetë dhe zakonisht sulmet ndodhin gjatë natës”, deklaroi Filo në një lidhje televizive direkte nga Kievi.
Ai shpjegoi se gjatë ditës përdoren shpesh dronë zbulues për identifikimin e objektivave që më pas goditen gjatë natës.
“Gjatë ditës normalisht ata lëshojnë dronë informues me kamera për të parë se ku janë objektivat që ata do duan të shënjestrojnë gjatë natës, por kryesisht në 90% të rasteve ato zhvillohen gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit”, tha ambasadori.
I pyetur për goditjen e zonave civile, Filo akuzoi Russia se po synon të krijojë frikë dhe dëshpërim tek popullsia ukrainase.
“Rusia nuk merr parasysh humbjet e civilëve. Ata i synojnë sepse duan që të krijojnë sa më shumë dhimbje dhe sa më shumë dëshpërim, që ukrainasit në një farë mënyre të lodhen nga ky konflikt dhe të dorëzohen”, u shpreh ai.
Megjithatë, sipas tij, ukrainasit nuk kanë ndërmend të tërhiqen përballë agresionit rus.
“Ukrainasit nuk kanë ndërmend që të dorëzohen. Ata do të vazhdojnë të rezistojnë sepse janë në të drejtën e tyre. Rusët vazhdojnë me mësymje dhe me sulme të tilla barbare që nuk kursejnë as fëmijët”, deklaroi ambasadori shqiptar.
