Ambasadori britanik “shuplakë” Sali Berishës, përshëndet vendimin e “Apelit” që s’i hoqi “non-gratën” dhe ia bën të…

Data

Ambasadori britanik Alastair King Smith në një intervistë për emisionin “Real Story” në “ABC News” u shpreh se Britania do një Shqipëri ku të lulëzojë demokracia, dhe të zhvillohet si demokraci pluraliste. Smith u ndal te figura e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe shpalljen e tij “non-grata” nga Britania, ku theksoi se “Jemi me të vërtetë të kënaqur që Komisioni i Posaçëm e Apelit për Imigracionin mori vendim në mbështetje të pozicionit të Qeverisë sonë për këtë çështje”. Po ashtu, Smith tha se “ne vijojmë të jemi partner afatgjatë i Shqipërisë për mbështetjen e llogaridhënies dhe për veprimet kundër kriminalitetit dhe korrupsionit dhe do të vazhdojmë të veprojmë në të njëjtën mënyrë.

Gjithashtu, do të përforcojmë Prokurorin e Posaçëm, Policinë e Shtetit dhe Agjencitë e tjera ligj zbatuese me qëllim që llogaridhënia dhe drejtësia të bëhen realitet për qytetarët.” Më tej ambasadori britanik, Alastair King Smith, iu përgjigj pyetjes nëse do të ketë “non grata” të tjerë veç kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha nga Britania. Pa zbuluar detaje, Smith u shpreh se do të merren të gjitha masat e nevojshme për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionin me të cilën përballet Shqipëria. Ambasadori i Britanisë, Alastair King Smith komentoi edhe reformën në drejtësi në Shqipëri. Ai u pyet nëse po evropianizohet drejtësia, ku u shpreh se janë bërë hapa pozitive dhe se ka pasur progres nga shteti shqiptar. Ndër të tjera, diplomati Smith theksoi se Britania është partnere e SPAK dhe e gjithë sistemit të drejtësisë.

Pjesë nga intervista në studio

-Z.Ambasador një tjetër raport shumë i mirë dhe i vjetër mes Londrës dhe Tiranës, është raporti mbi 32 – 33 vjeçar që konservatorët britanikë kanë pasur me PD. Mendoj që është raporti i vetëm që është dëmtuar gjatë këtyre dekadave dhe për këtë nuk mund të fajësoj Britaninë e Madhe. Pse nuk ka një raport kaq të mirë mes Britanisë dhe PD, që është prej më shumë se një dekade në opozitë?

Nuk ndaj të njëjtin mendim me ju, megjithëse është e vërtetë që kemi një çështje specifike. Faktikisht, Mbretëria e Bashkuar, unë, Ambasada Britanike kanë mbajtur gjithnjë lidhje me të gjithë spektrin politik, me të gjitha pjesët e Partisë Demokratike dhe partive të tjera në opozitë, si dhe me Partinë Socialiste, dhe gjithmonë kemi qenë të mendimit se MB-ja duhet të angazhohet dhe të ketë këndvështrim të paanshëm dhe të ekuilibruar të politikës duke u munduar të mbështesim demokracinë në vend. Do të ketë gjithnjë dallime të këndvështrimeve mbi mbështetjen e demokratizimit. Si Mbretëri e Bashkuar jemi të qartë që duam të shohim demokracinë të lulëzojë, të zhvillohet si demokraci pluraliste, dhe duam të kemi Parlament të efektshëm dhe funksional me opozitë të efektshme që është e aftë t’i kërkojë llogari qeverisë. Kjo do të vijojë të jetë qasja jonë jo vetëm në Shqipëri, por mbarë botën. Por në këtë kuadër, duhet me doemos të ketë edhe llogaridhënie.

-Kur i referoheni mbajtjes së përgjegjësive, sigurisht besoj që në mendjen tuaj, në mendjen time dhe të atyre që na shikojnë është ajo çështja specifike që ju iu referuat pak minuta më parë, e z.Berisha, që dy vjet më parë na bëri të njohur që Britania e Madhe kishte marrë një vendim të ngjashëm madje më konkret për dizenjimin e tij si non grata në Mbretërinë e Bashkuar. Z.Berisha më pas e apeloi dhe Këshilli i Apelit la në fuqi vendimin e marrë nga qeveria juaj. Është një pikë e fortë, që besoj nuk do e harroni gjatë misionit tuaj në Tiranë.

Po, kjo është çështje specifike. Ne kemi shprehur qartë që llogaridhënia është shumë e rëndësishme, qoftë lidhur me kriminalitetit apo korrupsionin, dhe kjo është politika që ke kemi dhe zbatojmë. Jemi me të vërtetë të kënaqur që Komisioni i Posaçëm e Apelit për Imigracionin mori vendim në mbështetje të pozicionit të Qeverisë sonë për këtë çështje. Besoj e kuptoni që përparësia e qeverisë sonë është siguri dhe sigurimi i Mbretërisë së Bashkuar dhe qytetarëve në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ne do të mbrojmë me forcë çdo vendim të marrë në këtë kuadër. Nga ana tjetër, ne vijojmë të jemi partner afatgjatë i Shqipërisë për mbështetjen e llogaridhënies dhe për veprimet kundër kriminalitetit dhe korrupsionit dhe do të vazhdojmë të veprojmë në të njëjtën mënyrë. Gjithashtu, do të përforcojmë Prokurorin e Posaçëm, Policinë e Shtetit dhe Agjencitë e tjera ligj zbatuese me qëllim që llogaridhënia dhe drejtësia të bëhen realitet për qytetarët.

-Z.Ambasador, në një nga intervistat tona më patët thënë që, do të ketë dizenjime të tjera, do të ketë një listë tjetër, që nuk është vetëm ish kryeministri dhe ish presidenti Berisha, por do të ketë të tjerë dhe madje, përdorët shprehjen që do të ketë nga të dyja krahët e politikës. A ka ndodhur, a po ndodh?

Detyrimisht qasja jonë për këto çështje është e ekuilibruar, ashtu si edhe në fusha të tjera, dhe kemi përcaktuar një pozicion afatgjatë që do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të ndihmuar me luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit si në Mbretërinë e Bashkuar, për çështje që ndikojnë Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në mbarë botën, dhe do të vijojmë të veprojmë në të njëjtën mënyrë. Këto vendime merren në nivelet më të larta të qeverisë dhe tani i takon Ministrit të ri të Jashtëm dhe Ministres së re të Brendshme të marrin vendime të tilla, dhe ne do të vijojmë të përqendrohemi tek llogaridhënia. Gjithashtu, duam të vijojmë të jemi partner i fuqishëm në mbështetje të Sistemit të Drejtësisë Kombëtare, në mënyrë që sistemi i sundimit të ligjit të jetë realisht i efektshëm.

-Z.Ambasador, këtu duket një realitet se pushteti politik është solid në duart e njërës palë, aq sa njerëzit mendojnë që në zgjedhjet e 2025 nuk do ketë surpriza sepse pala tjetër, është e dobësuar e përçarë edhe për shkak të goditjeve që ka marrë nga ndërkombëtarët, SHBA dhe Britani e Madhe kryesisht. Dhe kjo na lë në një pikëpyetje, që shkon përtej preferencave që ne mund të kemi për të parë dikë të përballet me drejtësinë. Në këtë rast z.Berisha. Çdo demokraci sigurisht funksionon në një sistem demokratik të balancuar, por nga ana tjetër funksionon me një sistem ku politika nuk ka të gjithë pushtetin. Ndërkohë deri dje, para se reforma në drejtësi filloi të funksiononte, kush zgjidhej kryeministër ishte ‘mbret’. Kishte ndikim në sistemin e drejtësisë, deri në sistemin e taksave, por edhe të komunikimit publik, në media në gjithçka. A është sistemi I ri I drejtësisë, aq i fuqishëm sa të arrijë të balancojë një situatë që është totalisht e pabalancuar nga pikëpamja politike?

Sokol, është pyetje shumë e rëndësishme, sepse mendoj se në çdo shoqëri është shumë e rëndësishme të arrihet ekuilibër mes pushteteve të ndryshme të shtetit. Besoj se deri në vitin 2016 në Shqipëri kur u miratua paketa e reformës në drejtësi, nuk kishim gjyqësor të efektshëm dhe vendi ka nevojë për të tre pushtetet, ekzekutivin, ligjvënësin – Parlamentin – dhe gjyqësorin për të qenë i efektshëm dhe funksional. Normalisht tre vitet e fundit kemi parë sistemin e drejtësisë, gjyqësorin, gjykatat, dhe prokurorët që kanë nisur të funksionojnë. Kjo sjell dinamikë të re dhe ekuilibër të ri, dhe është e rëndësishme që këtu të arrihet në ekuilibrin e duhur për të ardhmen. Në MB jemi me fat që kemi pushtete në stabilitet relativ mes tyre, edhe pse me raste ka ankesa lidhur me veprimet e tyre. Normalisht, ka edhe lëvizje politike në ekzekutiv dhe legjislativ. Patjetër që ka shkëmbim pushteti mes partive të ndryshme. Por mendoj se parimi i pluralizmit politik është me rëndësi dhe shpresoj që Shqipëria të vazhdojë me këtë parim. Historikisht, dy parti kanë qenë më të fuqishmet, por po filloni të keni shenja dhe forma të tjera që mund të marrin rëndësi në të ardhmen. Shpresoj të lulëzojë një politikë më pluraliste që do të përfaqësojë të gjithë shoqërinë e Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related