E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn vlerësoi dje partneritetin mes dy vendeve ndërsa u shpreh se “jemi me fat të kemi aleatë si Shqipëria”. Në festën e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara me rastin e 249-vjetorit të Pavarësisë së Amerikës, VanHorn u shpreh se “amerikanët nderojnë 4 korrikun 1776, ditën kur të parët tanë nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, si Ditën tonë të Pavarësisë”. “Por, historia e kombit tonë fillon para asaj dite, me heronjtë që luftuan për të. Ajo luftë nisi një vit më herët, në 1775, me fillimet e ushtrisë më të madhe që bota ka njohur ndonjëherë. Sonte festojmë jo vetëm vitin e 249-të të Amerikës, por edhe 250-vjetorin e Ushtrisë, Marinës dhe Korpusit të Marinsave të Shteteve të Bashkuara”, u shpreh ajo.
VanHorn theksoi se gjatë dy shekujve e gjysmë, udhëheqja amerikane ka shtruar rrugën për një botë më të lirë, më paqësore dhe më të begatë. “Por, nuk mund ta bëjmë këtë të vetëm. Tashmë udhëheqësit tanë janë duke u kthyer në shtëpi nga Samiti i NATO-s, ku aleatët u zotuan të investojnë 5 për qind të PBB-së së tyre çdo vit për kërkesat bazë të mbrojtjes. Ne po mbështetemi tek aleatët tanë që të bëjnë pjesën e tyre për të mbrojtur vlerat që të gjithë i çmojmë shumë”, shtoi ajo. Duke sjellë në vëmendje bashkëpunimin mes forcave shqiptare dhe atyre amerikane në kuadër të stërvitjes “Defender-Europë”, Van Horn kujtoi historinë e një ushtari shqiptar të vrarë në aksion, ndërsa shërbente në kufi përkrah SHBA-së, gati një dekadë më parë. “Ai la pas një vajzë të vogël, tani një vajzë e re.
