Altin Dumanit pritet t’i mbarojë mandati në fund të këtij viti si kreu i SPAK, dhe që tani kanë filluar të shpërndahen spekulime në lidhje me pasuesin e tij. Një emër që ka filluar të përflitet është Olsi Dado, prokuror i njohur për qasjen e tij të ashpër ndaj korrupsionit dhe angazhimin e tij në ndjekjen e çështjeve të rëndësishme ligjore. Dado është një prokuror që ka fituar reputacion për integritetin e tij dhe për aftësitë profesionale, duke u konsideruar si një nga ata individë që mund të vazhdojë të luftojë korrupsionin në nivele të larta të pushtetit. E para që e ka artikuluar në studiot televizive emrin e tij ka qenë gazetarja Anduena Llabani.
“Është një prokuror karriere. Olsi Dado ka punuar pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda disa vite me çështje të krimit të organizuar kryesisht trafiqeve të lëndëve narkotike. Më pas Olsi Dado pati një karrierë disa vjeçare në Prokurorinë e Përgjithshme. Në kohën kur SPAK ngriti siparin e tij, në kohën kur prokurorët e SPAK ishin minimalist për sa i përket strukturës që kërkonte SPAK-u, ishte Altin Dumani ai që e kërkoi, që Olsi Dado të ishte pjesë e trupës së prokurorëve të posaçëm. Pas një gare në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Olsi Dado u kualifikua si një kandidat i mundshëm për të qenë prokuror i SPAK-ut, kaloi dy shkallët e Vettingut me të gjitha cilësitë që duhet të kalonte një prokuror, duke justifikuar edhe pasurinë.
Pra doli një prokuror i cili i plotësonte standardet për të qenë pjesë e SPAK-ut. Ajo që unë mendoj është që me çështjen në fjalë Olsi Dado mund të jetë edhe nesër, kryeprokurori i SPAK-ut”, u shpreh ajo. Deklarata e saj erdhi pasi Olsi Dado i vuri prangat njeriut të dytë më të pushtetshëm të socialistëve, Erion Veliaj dhe pavarësisht akuzave të shumta që janë hedhur ndaj tij dhe nga kryeministri Rama, prokurori nuk është lëkundur, i vetëdijshëm se në çdo akuzë që hidhet ndaj tij nga politika, ka mbështetjen e të gjithë shqiptarëve që duan ta shohin Shqipërinë pa politikanë të korruptuar.
