Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës Nacionalçlirimtare ka paraqitur një kërkesë zyrtare për zhbllokimin e llogarisë bankare pranë Banka Kombëtare Tregtare, duke akuzuar degën “21 Dhjetori” për bllokim arbitrar dhe pa bazë ligjore të fondeve të organizatës.
Në letrën e bërë publike nga Albert Zholi, kryeredaktor i gazetës “Kushtrim Brezash”, thuhet se vendimi ka paralizuar aktivitetin e organizatës dhe ka lënë gazetarët pa paga për më shumë se një muaj.
Sipas kërkesës drejtuar drejtorit të përgjithshëm të Banka Kombëtare Tregtare, Seyhan Pencablıgil, organizata pretendon se llogaria është bllokuar pas një ankese të bërë nga një person që nuk ka status ligjor përfaqësimi dhe që, sipas tyre, ka përdorur dokumente dhe vulë të falsifikuar.
Në letër përmendet edhe drejtori i degës së BKT-së “21 Dhjetori”, Erind Çela, ndaj të cilit ngrihen akuza për refuzim arbitrar dhe mungesë transparence.
Organizata deklaron se bllokimi ka sjellë pasoja të rënda, duke përfshirë mosshlyerjen e pagave të punonjësve, detyrimeve tatimore dhe sigurimeve shoqërore, si dhe ndërprerjen e botimit të gazetës “Kushtrim Brezash” për mbi 6500 abonentë.
“Gazetarët dhe punonjësit tanë kanë më shumë se një muaj pa u paguar. Familjet dhe fëmijët e tyre po përballen me vështirësi ekonomike”, thuhet në reagim.
Në kërkesë, organizata kërkon zhbllokimin e menjëhershëm të llogarisë bankare, rikthimin e funksionimit normal financiar dhe verifikim administrativ e ligjor të procedurës së ndjekur nga drejtuesit e degës përkatëse të bankës.
Gjithashtu, paralajmërohet se nëse situata nuk zgjidhet brenda një afati të arsyeshëm, do të ndiqen rrugë ligjore dhe forma të tjera proteste qytetare.
