Albana Koçiu: Vajzat dhe gratë në qendër të transformimit teknologjik në Shqipëri

Data

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi se Shqipëria po vendos vajzat dhe gratë në zemër të transformimit teknologjik, duke synuar rritjen e pjesëmarrjes së tyre në fushat e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

Në një aktivitet të organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK, Koçiu theksoi se vendi ka bërë progres të rëndësishëm në digjitalizim dhe në ndërtimin e standardeve të reja teknologjike.

Ajo u ndal te zhvillimi i platformave digjitale, duke përmendur se Shqipëria ofron tashmë rreth 1300 shërbime publike online, pa kohë pritjeje, si pjesë e një transformimi më të gjerë shtetëror.

Sipas Koçiut, programi “Shqipëria 2030” dhe agjenda digjitale 2022–2026 synojnë të garantojnë përfitime të barabarta për gratë dhe vajzat, duke i fuqizuar ato në arsim, sipërmarrje dhe tregun e punës.

“Avancimi nuk është vetëm çështje teknologjie, por edhe mundësish të barabarta”, u shpreh ajo, duke shtuar se platformat si e-Albania kanë lehtësuar aksesin në shërbime dhe kanë ndihmuar veçanërisht gratë në hapjen dhe menaxhimin e bizneseve.

Koçiu theksoi gjithashtu rëndësinë e edukimit në teknologji, duke përmendur programe si TUMO dhe zgjerimin e tyre në sistemin arsimor, që synojnë rritjen e përfshirjes së vajzave në fusha si programimi, inxhinieria dhe matematika.

Në fjalën e saj, ajo ngriti edhe shqetësimin për sigurinë digjitale, duke theksuar se një në tre vajza përballet me forma të ngacmimit online, një problem që kërkon më shumë masa mbrojtëse.

Në fund, Koçiu solli si shembull figura suksesi si Mira Murati, duke theksuar nevojën për të krijuar më shumë mundësi që vajzat shqiptare të arrijnë potencialin e tyre në teknologji dhe inovacion.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related