Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste në pushtet fitoi një mandat të katërt në krye të vendit, ndërsa numri i deputetëve të saj shkoi në 83, duke siguruar mazhorancën më të madhe që nga viti 1997.
Aleanca për një Shqipëri Madhështore, një koalicion partish opozitare i udhëhequr nga Partia Demokratike, doli e dyta dhe zgjodhi 50 deputetë. Partia Socialdemokrate mori 3 deputetë dhe tre parti të reja fituan gjithsej 4 përfaqësues.
Partia Demokratike nuk e ka pranuar rezultatin, ndërsa lideri i saj, Sali Berisha, deklaroi se vota është manipuluar dhe se dhjetëra kandidatë janë zgjedhur me ndikimin e krimit të organizuar.
Ndërkohë, partitë e reja opozitare u ankuan se manipulimi më i madh vinte nga vetë sistemi zgjedhor, i cili u ka shpërndarë më pak ulëse në Kuvend në krahasim me përqindjen e votave të marra.
Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, zgjedhjet nuk i arritën standardet ndërkombëtare, pasi u zhvilluan në një terren të pabarabartë, si rrjedhojë e keqpërdorimit masiv të burimeve shtetërore, frikësimit të zgjedhësve dhe kontrollit të lirisë së medias.

