Raporti i OSAC: Korrupsioni dhe pandëshkueshmëria mbeten sfida për zbatimin e ligjit në Shqipëri

Data

Raporti i Këshillit Këshillimor për Sigurinë Jashtë Vendit (OSAC), pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, vlerëson se korrupsioni dhe pandëshkueshmëria vijojnë të përbëjnë sfida për zbatimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve në Shqipëri.

Sipas raportit, krijimi i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në vitin 2019 ka sjellë rritje të hetimeve, arrestimeve dhe ndjekjeve penale në çështje që lidhen me korrupsionin e nivelit të lartë, krimin e organizuar dhe terrorizmin.

Megjithatë, dokumenti thekson se ende ekzistojnë vështirësi në luftën kundër korrupsionit. Sipas OSAC, korrupsioni, shkëmbimi i pamjaftueshëm i informacionit ndërmjet institucioneve, koordinimi i kufizuar mes agjencive shtetërore dhe një sistem gjyqësor që vazhdon të konsolidohet ndikojnë në efektivitetin e zbatimit të ligjit.

Raporti vëren gjithashtu se persona me ndikim politik, administrativ ose ekonomik mund t’i shmangen përgjegjësisë penale, duke e cilësuar pandëshkueshmërinë si një nga sfidat e vazhdueshme për institucionet.

Në dokument theksohet se SPAK trajton çështje që lidhen me korrupsionin e nivelit të lartë, krimin e organizuar dhe terrorizmin, ndërsa prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ndjekin penalisht çështjet që nuk janë në kompetencën e kësaj strukture. Raporti nënvizon gjithashtu se SPAK dhe institucionet shqiptare të zbatimit të ligjit bashkëpunojnë me INTERPOL-in dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë në hetimet penale.

Raporti i OSAC shërben si një dokument informues për bizneset dhe organizatat që vlerësojnë mjedisin e sigurisë dhe të investimeve në vende të ndryshme, përfshirë Shqipërinë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related