Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të ofruar mbështetje për Francën, e cila po përballet me zjarre në disa rajone të vendit.
Në një deklaratë publike, Haxhiu tha se Kosova është e gatshme të kontribuojë, brenda kapaciteteve të saj shtetërore, në operacionet për shuarjen e zjarreve dhe në aktivitetet e kërkim-shpëtimit, nëse një ndihmë e tillë do të kërkohet.
Ajo shprehu gjithashtu solidaritet me popullin francez dhe me ekipet e angazhuara në terren për përballimin e situatës.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin francez dhe me të gjithë ata që po punojnë për të mbrojtur jetët e njerëzve dhe komunitetet e prekura nga zjarret”, deklaroi Haxhiu.
Deri në publikimin e këtij materiali, nuk ka informacion zyrtar nëse autoritetet franceze kanë kërkuar ndihmë nga Kosova apo nëse është aktivizuar ndonjë mekanizëm konkret bashkëpunimi për këtë qëllim.
