Bashkia Vlorë u ka bërë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditës së premte, për shkak të parashikimeve për përkeqësim të kushteve atmosferike.
Sipas njoftimit të bashkisë, në territorin e Vlorës priten reshje shiu, stuhi lokale dhe erëra të forta, të cilat mund të shkaktojnë ndryshime të shpejta të motit.
Autoritetet lokale këshillojnë qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë episodeve të motit të keq, të mos qëndrojnë pranë pemëve ose strukturave që mund të paraqesin rrezik dhe të tregojnë kujdes të veçantë në zonat bregdetare, përfshirë plazhet dhe aktivitetet në det.
Bashkia Vlorë u ka bërë gjithashtu thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, pyje, kullota apo pranë bimësisë së thatë, duke theksuar se temperaturat e larta dhe erërat mund të favorizojnë përhapjen e flakëve.
Sipas autoriteteve, qytetarët duhet të njoftojnë menjëherë shërbimet e emergjencës për çdo situatë që mund të paraqesë rrezik për jetën, pronën ose mjedisin.
