Franca dhe Gjermania kanë riafirmuar angazhimin për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ndërsa Bashkimi Evropian përballet me sfida të reja gjeopolitike dhe ekonomike.
Gjatë një takimi të përbashkët të kabineteve qeveritare, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron deklaruan se dy vendet do të intensifikojnë bashkëpunimin në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake, përfshirë mbrojtjen nga raketat dhe sistemet e goditjes me rreze të gjatë veprimi.
“Po bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur lirinë, sigurinë dhe mbrojtjen tonë kolektive”, u shpreh kancelari Merz gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
Takimi vjen pas përpjekjeve për të kapërcyer mosmarrëveshjet që lindën në fillim të këtij viti lidhur me projektin e përbashkët franko-gjerman për zhvillimin e një avioni luftarak të gjeneratës së ardhshme.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe konkurrenca ekonomike globale. Dy liderët shprehën shqetësim për atë që e cilësuan si konkurrencë të padrejtë nga Kina, duke argumentuar se mbështetja shtetërore për industrinë kineze dhe mbikapaciteti industrial po ushtrojnë presion mbi ekonominë evropiane.
Merz deklaroi se synimi nuk është një përshkallëzim i tensioneve tregtare me Pekinin, por një dialog për çështje si politikat industriale, mbikapaciteti dhe kursi i këmbimit të monedhës.
Në fushën e sigurisë, Franca dhe Gjermania po shqyrtojnë gjithashtu forma më të ngushta bashkëpunimi në parandalimin bërthamor, në një kohë kur në Evropë janë shtuar diskutimet mbi forcimin e autonomisë strategjike, pas sinjaleve se Shtetet e Bashkuara mund të reduktojnë gradualisht angazhimin e tyre ushtarak në kontinent.
Bashkëpunimi mes Berlinit dhe Parisit konsiderohet një element kyç për avancimin e politikës së përbashkët evropiane të mbrojtjes dhe për rritjen e kapaciteteve të sigurisë së Bashkimit Evropian.
