Shqipëria do të mirëpresë Samitin e NATO-s në vitin 2027, një zhvillim që, sipas ministres Albana Koçiu, dëshmon besimin e aleatëve dhe rolin në rritje të vendit në sigurinë euroatlantike.
Koçiu deklaroi se ky angazhim po shoqërohet me investime konkrete, forcim të kapaciteteve ushtarake dhe zhvillimin e një industrie moderne të mbrojtjes.
Një prej projekteve është kantieri i kompanisë Guna Tactical, pjesë e KAYO-s, ku po investohen 13.2 milionë euro në kuadër të marrëveshjes fillestare me MSSC Group. Projekti synon prodhimin e uniformave dhe pajisjeve për ushtrinë dhe strukturat e sigurisë.
Sipas Koçiut, përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026 janë miratuar 10.3 miliardë lekë shtesë për mbrojtjen, duke e çuar financimin e sektorit në 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Shqipëria është gati të pozicionohet si një partner konkurrues në industrinë e mbrojtjes. Tradita në manifakturë, fuqia punëtore e kualifikuar dhe afërsia me tregjet europiane janë avantazhe reale”, deklaroi ajo.
Guna Tactical pritet të krijojë 800 vende të reja pune, ndërsa janë nënshkruar tre kontrata për furnizimin me veshje të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve gjatë periudhës 2026–2028.
Koçiu përmendi gjithashtu projektet TIMAK Defence dhe “Myslym Keta Defence”, të cilat, sipas saj, po ndihmojnë në krijimin e një zinxhiri të integruar të industrisë shqiptare të mbrojtjes.
Një tjetër nismë është partneriteti me kompaninë italiane Fincantieri. Përmes KAYO-s parashikohet krijimi i një ndërmarrjeje të përbashkët për prodhimin dhe eksportin e mjeteve lundruese.
Aktiviteti në Pashaliman synon të rrisë kapacitetet e Forcës Detare dhe ta pozicionojë Shqipërinë si një qendër rajonale për prodhimin dhe mirëmbajtjen e anijeve për vendet partnere të NATO-s.
Sipas Koçiut, objektivi është që vendi të shndërrohet në një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes, duke forcuar njëkohësisht sigurinë kombëtare, ekonominë dhe përfshirjen në zinxhirët ndërkombëtarë të teknologjisë dhe prodhimit.
