Erald Kapri akuza mazhorancës në Kuvend: Mendoni se jeni pronarë të Shqipërisë

Data

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka akuzuar mazhorancën se po kufizon zërin e opozitës dhe po dëmton funksionimin e parlamentarizmit.

Duke marrë fjalën në seancën plenare, Kapri u ndal te masat disiplinore ndaj deputetëve të opozitës, përfshirë përjashtimin e kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj.

“Kthehem në sallë pas 20 ditësh përjashtim, që nuk e di ende se pse u përjashtova. Më e rënda është që Kuvendi, me dhunën e kartonëve të kuq, ka përjashtuar edhe Shehajn për 30 ditë të tjera”, deklaroi ai.

Sipas Kaprit, Shehaj ka munguar në punimet parlamentare për rreth tre muaj si pasojë e masave të marra ndaj tij. Deputeti i cilësoi këto vendime si të papajtueshme me standardet e parlamentarizmit.

Ai iu referua gjithashtu protestave qytetare dhe kërkesave për dorëheqjen e qeverisë dhe shpërndarjen e Kuvendit.

“Mendoni se jeni pronarë të Shqipërisë dhe e keni kthyer vendin në këtë derexhe”, tha Kapri, duke iu drejtuar deputetëve të shumicës.

Deputeti ngriti shqetësime edhe për anulimin e kërkesave të opozitës për interpelanca, duke pretenduar se në këtë mënyrë po pengohet ushtrimi i të drejtave kushtetuese të deputetëve.

Në përfundim, Kapri kritikoi praninë e shtuar të forcave të policisë pranë godinës së Kuvendit, duke e lidhur atë me tensionet politike dhe protestat e ditëve të fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related