Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët se PD-ja do të dorëzojë së shpejti në Prokurori një kallëzim penal lidhur me atë që ai e quajti “The Albanian Files”, një dosje që, sipas tij, përmban pretendime për shkelje dhe përgjegjësi të qeverisë.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te protestat qytetare, për të cilat tha se po marrin mbështetje ndërkombëtare.
“Kryengritja paqësore rinore qytetare po gjen mbështetje të gjerë në spektrin politik europian dhe te qytetarët e vendeve të lira,” u shpreh ai.
Kreu i PD-së kritikoi gjithashtu përdorimin e fondit rezervë të qeverisë për financimin e koncertit të Kanye West, duke pretenduar se ky vendim përbën shkelje të Kushtetutës.
“Në asnjë rrethanë një koncert privat nuk duhet të financohet nga fondi i emergjencave apo fondi rezervë i Këshillit të Ministrave,” deklaroi Berisha.
Gjatë bashkëbisedimit, ai foli edhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke përsëritur akuzat e tij ndaj SPAK-ut dhe duke pretenduar se kallëzimet e opozitës ndaj zyrtarëve qeveritarë nuk po hetohen në mënyrë të duhur.
Berisha komentoi gjithashtu zhvlerësimin e euros, duke pretenduar se kursi i këmbimit është ndikuar nga hyrja e parave me origjinë kriminale. Ai tha se kjo situatë, sipas tij, ka ndikuar negativisht te eksportet, turizmi dhe kursimet e emigrantëve.
I pyetur për protestat, kreu i Partisë Demokratike deklaroi se opozita do të vazhdojë të mbështesë protestën qytetare ekzistuese dhe u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në tubimet e përditshme në Tiranë.
