Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të diel në fshatin Orizaj, në bashkinë e Beratit, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën pasi u mbyt në lumë.
Sipas të dhënave paraprake, i mituri kishte qenë duke punuar në arë së bashku me babanë e tij. Pas punës, ai ka hyrë në lumë për t’u freskuar dhe për t’u larë, por dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit.
Babai i tij ka hyrë menjëherë në lumë në përpjekje për ta shpëtuar dhe ka arritur ta nxjerrë në breg, por 15-vjeçari ishte pa shenja jete.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe një autoambulancë, e cila transportoi trupin e pajetë në Morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore.
Grupi hetimor po vijon veprimet për të sqaruar dhe dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një mbytje aksidentale gjatë larjes në lumë.
