Aktori Mehdi Malkaj mori fjalën në protestën e 42-të para Kryeministrisë, ku kritikoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se, sipas tij, premtimet kryesore të dhëna gjatë mandateve qeverisëse nuk janë përmbushur.
Në fjalën e tij, Malkaj iu referua deklaratave të kryeministrit për “kontratën me qytetarët”, duke ngritur pyetje mbi realizimin e disa prej angazhimeve të shpallura ndër vite.
“E keni vënë re që kryeministri thotë se do ta çojë deri në fund kontratën me qytetarët? Në atë kontratë u premtua shëndetësi falas. Ku është? U premtua arsim model. Ku është? U premtua se pensionistët do të jetonin më mirë. Ku janë ato premtime?”, u shpreh aktori.
Malkaj kritikoi gjithashtu mënyrën e komunikimit të qeverisë me qytetarët, duke theksuar se, sipas tij, sovrani është populli.
“Ku e gjen të drejtën të na thotë se çfarë duhet të bëjmë? Duhet të vijë këtu dhe të përballet me qytetarët. Ne jemi populli shqiptar dhe kemi vrarë frikën”, deklaroi ai para protestuesve.
