Pak orë para koncertit të tij në Tiranë, reperi amerikan Kanye West është pritur në ambientet e Kryeministrisë nga kryeministri Edi Rama.
Takimi u bë publik nga vetë kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ndau pamje nga vizita e artistit në godinën e Kryeministrisë. Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja.
Gjatë vizitës, Rama i prezantoi Kanye West ambientet e brendshme të institucionit, si edhe pikturat e ekspozuara në Kryeministri. Në përfundim të takimit, kryeministri i dhuroi artistit librin “The Albanian Files”.
Postimi i Ramës në rrjetet sociale u shoqërua me një këngë të Kanye West dhe me pesë yje, një detaj që është interpretuar si një referencë ironike ndaj fushatës së komenteve dhe vlerësimeve negative në internet që kanë shoqëruar debatet e fundit politike.
Kanye West pritet të ngjitet në skenën e “Eagle Stadium” mbrëmjen e sotme, ku do të zhvillojë koncertin e tij në Tiranë, një aktivitet që ka ngjallur debat të gjerë publik për shkak të mënyrës së financimit dhe figurës kontroverse të artistit.
