Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj Jonaid Myzyrit dhe personave të tjerë të hetuar në lidhje me një procedurë tenderuese me vlerë rreth 2.2 milionë euro.
Vendimi u mor nga gjyqtari Paulin Çera, i cili pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të përfaqësuar nga prokurori Elvin Gokaj.
Më herët, GJKKO i kishte lënë SPAK-ut një afat prej 45 ditësh për kryerjen e një akt-ekspertimi nga ekspertë të licencuar. Pas administrimit të këtij ekspertimi, Prokuroria paraqiti sërish kërkesën për pushimin e procedimit penal, e cila u pranua nga gjykata.
Përveç Myzyrit, SPAK kishte kërkuar pushimin e hetimeve edhe për anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik, Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.
Jonaid Myzyri u hetua për rreth dy vjet lidhur me dyshimet për shkelje në një procedurë tenderuese të zhvilluar në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmenteve rrugore Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit, me gjatësi totale rreth 59 kilometra.
Sipas dyshimeve fillestare të organit të akuzës, Komisioni i Prokurimit Publik kishte favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomikë “AEK Munella” dhe “Drini-1”, të cilët fituan procedurën, ndërsa operatorë të tjerë, mes tyre kompania “Kthella”, kishin kundërshtuar vendimin, duke pretenduar se ishin skualifikuar padrejtësisht.
Megjithatë, në përfundim të hetimeve dhe pas administrimit të provave, SPAK arriti në përfundimin se nuk kishte elementë të mjaftueshëm për ngritjen e akuzave, duke kërkuar pushimin e procedimit.
Me vendimin e GJKKO-së, procedimi penal ndaj Jonaid Myzyrit dhe të pandehurve të tjerë është mbyllur.
