Eurodeputetja Tineke Strik: Kuvendi të heqë imunitetin e Belinda Ballukut dhe t’i hapë rrugë hetimit të SPAK

Data

Çështja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku është rikthyer në qendër të debatit në Parlamentin Europian, ku eurodeputetja holandeze Tineke Strik ka bërë thirrje që Kuvendi i Shqipërisë të mos pengojë procesin e drejtësisë dhe të lejojë vijimin e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Gjatë diskutimeve në Bruksel, Strik vlerësoi pavarësinë e SPAK si një nga rezultatet më të rëndësishme të reformës në drejtësi, por kritikoi refuzimin e Kuvendit për të miratuar kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut.

“SPAK po vepron në mënyrë të pavarur dhe kjo është një arritje e rëndësishme e procesit të vettingut. Megjithatë, Parlamenti duhet të lehtësojë punën e drejtësisë dhe të mos pengojë hetimet”, u shpreh eurodeputetja holandeze.

Deklarata vjen në një kohë kur SPAK ka zgjeruar hetimet ndaj ish-zv/kryeministres. Sipas informacionit të bërë publik, përveç akuzës për shkelje të barazisë në tendera, Balluku po hetohet edhe për korrupsion pasiv dhe pastrim parash në lidhje me procedura të zhvilluara gjatë kohës kur drejtonte Albcontrol.

Hetimi lidhet me dy tendera për rikonstruksionin e godinës së Albcontrol, ndërsa SPAK dyshon se në këmbim të favorizimit të një kompanie ndërtimi është përfituar një vilë në Dhërmi, pasuri që është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme.

Sipas dosjes hetimore, vila dyshohet se është mbajtur në pronësi të të tretëve për të fshehur pronësinë reale. Në kuadër të këtij hetimi janë kryer edhe veprime procedurale ndaj personave të tjerë të përfshirë në çështje.

Më herët, Kuvendi refuzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, duke lënë në fuqi masat e pezullimit nga detyra dhe ndalimit të daljes jashtë vendit. Sipas deklaratave të opozitës dhe diskutimeve publike, pritet që Prokuroria e Posaçme të vlerësojë nëse do t’i drejtohet sërish Parlamentit me një kërkesë të re, bazuar në zhvillimet e hetimit.

Nga ana e saj, Belinda Balluku i ka kundërshtuar akuzat dhe ka deklaruar më herët se do t’i përballet procesit gjyqësor në rrugë ligjore. Deri tani nuk ka një reagim të ri publik nga ajo lidhur me deklaratat e eurodeputetes Tineke Strik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related