Kaso në Parlamentin Europian: Kapja e shtetit dhe korrupsioni kanë nxjerrë qytetarët në protestë, Shqipëria po rrëshqet drejt autoritarizmit

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka ngritur alarmin për situatën politike dhe demokratike në Shqipëri gjatë një diskutimi në Parlamentin Europian, ku akuzoi qeverinë për kapje të shtetit, cenim të standardeve demokratike dhe përdorim të institucioneve në funksion të pushtetit.

Në fjalën e tij para eurodeputetëve, Kaso falënderoi Parlamentin Europian për mbështetjen ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë, duke theksuar se qytetarët shqiptarë mbeten ndër më pro-evropianët në rajon.

“BE-ja ka pranuar vende me sfida ekonomike e sociale, por kurrë një vend ku standardet demokratike minohen në mënyrë sistematike,” deklaroi ai.

Sipas Kasos, Shqipëria po përjeton një krizë të thellë demokratike, e reflektuar edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare.

“Sot, rënia demokratike, kapja e shtetit dhe korrupsioni kanë nxjerrë në protestë paqësore dhjetëra mijëra qytetarë për 38 ditë. Këto shqetësime pasqyrohen qartë në raportin e ODIHR-it, Rezolutën e Parlamentit Europian të 17 qershorit 2026, raportin V-Dem dhe gjetjet e misionit faktmbledhës të PPE-së,” u shpreh deputeti demokrat.

Në fjalën e tij, Kaso u ndal te zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke pretenduar se ato u zhvilluan në kushte të pabarabarta mes mazhorancës dhe opozitës.

Ai akuzoi qeverinë për përdorim të burimeve shtetërore, presion ndaj administratës publike, blerje vote dhe ndikim të krimit të organizuar në procesin zgjedhor.

Kaso kritikoi edhe fenomenin e patronazhistëve, duke pretenduar se të dhënat personale të qytetarëve janë përdorur për kontroll politik dhe elektoral.

“Qytetarët u profilizuan dhe u monitoruan, duke përdorur shërbimet publike si instrument kontrolli politik,” tha ai.

Deputeti i PD-së u ndal edhe te reforma në drejtësi, duke vlerësuar se sistemi përballet me vonesa të mëdha dhe mungesë të ndëshkueshmërisë në nivelet e larta.

Ai përmendi rastin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke akuzuar mazhorancën se ka penguar veprimin e drejtësisë.

“Në vend që të lejonte drejtësinë të vepronte, Kryeministri Rama e mbrojti atë publikisht, duke përdorur 82 deputetë si mburojë politike. Drejtësia nuk mund të jetë selektive, mburojë për pushtetin apo armë kundër opozitës,” deklaroi Kaso.

Në përfundim të fjalës së tij, ai i bëri thirrje Bashkimit Europian që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë të mbetet i bazuar në meritë dhe të kushtëzohet me reforma reale për zgjedhje të lira dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

“Pa zgjedhje të lira nuk ka shtet të së drejtës. Pa drejtësi të pavarur nuk ka demokraci. Dhe pa demokraci nuk mund të ketë një të ardhme europiane,” përfundoi deputeti demokrat.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related