Marjana Koçeku: Nuk do ta dorëzoj mandatin pavarësisht presioneve në rrjetet sociale

Data

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e cila u largua nga Partia Socialiste disa javë më parë, ka deklaruar se është përballur ditët e fundit me një fushatë të organizuar sulmesh në rrjetet sociale.

Në një reagim publik, Koçeku shprehet se profile të rreme dhe, sipas saj, persona të organizuar i kanë kërkuar të heqë dorë nga mandati i deputetes. Ajo thekson se, megjithëse dorëzimi i mandatit do të ishte një vendim i lehtë për t’u marrë, nuk ka ndërmend të tërhiqet.

“Prej disa ditësh po përballem në rrjetet sociale me një ushtri virtuale patronazhistësh dhe profilesh të rreme që më kërkojnë të lë mandatin. Ta lë mandatin e kam shumë të lehtë, por nuk jam mësuar t’i hap rrugë asaj që e konsideroj të keqe,” shkruan deputetja.

Koçeku pretendon se në rrjetet sociale veprojnë një numër i madh profilesh të rreme, të cilat, sipas saj, përdoren për të ushtruar presion dhe për të sulmuar zërat kritikë ndaj qeverisë.

Ajo shton se institucionet vendore janë shndërruar në struktura që mbështesin këtë aktivitet, ndërsa akuzon se në periudhën e protestave është intensifikuar fushata e denigrimit ndaj kritikëve të qeverisë.

“E kam ditur se çmimi i të folurit lirshëm do të ishte i lartë, por heshtja do të kishte kushtuar edhe më shumë. Shqipëria nuk duhet të jetë një republikë e profileve të rreme dhe e presionit online,” shprehet Koçeku.

Deputetja e pavarur nuk paraqiti prova publike për pretendimet e saj, ndërsa deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga institucionet apo nga Partia Socialiste lidhur me këto deklarata.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related