Një deklaratë e kryeministrit Edi Rama nga koha kur ishte në opozitë është rikthyer në vëmendje, në një moment kur vendi po përjeton protesta të vazhdueshme kundër qeverisë.
Gjatë javëve të fundit, Rama ka komentuar protestat duke i cilësuar pjesëmarrësit si grupe me motive të ndryshme dhe, në disa raste, ka folur edhe për ndikime të aktorëve të huaj.
Në kontrast me këto qëndrime, po qarkullon një deklaratë e tij e viteve të mëparshme, kur ndodhej në opozitë dhe fliste për marrëdhënien mes qeverisë dhe qytetarëve.
“Njerëzit kanë një kontratë me ata që qeverisin. Ata që qeverisin duhet të japin përgjigje për çdo pikë të shkelur të kësaj kontrate. Kur qeveria e gris kontratën me popullin, është populli ai që e flak atë”, shprehej Rama në atë kohë.
Deklarata është rikthyer në qarkullim në rrjetet sociale dhe në debatin publik, ku përdoret për të krahasuar qëndrimet e kryeministrit si ish-opozitar me ato që mban aktualisht në krye të qeverisë.
Prej më shumë se një muaji, protesta të përditshme po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ku pjesëmarrësit shprehin kërkesa dhe qëndrime të ndryshme lidhur me qeverisjen dhe situatën politike.
