Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka komentuar situatën politike në Shqipëri në një intervistë për të përditshmen italiane Il Foglio, duke bërë thirrje për reflektim dhe përgjegjësi politike përballë pakënaqësisë qytetare.
Deklarata e Bushatit vjen në kuadër të një analize të gazetarit Nicola Mirenzi, e cila trajton protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe arsyet që, sipas autorit, kanë nxitur mobilizimin qytetar.
Në analizë, Il Foglio e përshkruan protestën, e cila nisi si një reagim ndaj shqetësimeve mjedisore, si një lëvizje që është zgjeruar duke përfshirë edhe tema si transparenca, korrupsioni, zhvillimi urban dhe funksionimi i institucioneve.
Duke komentuar situatën, Bushati u shpreh se reagimi ndaj protestave nuk duhet të kufizohet në polemika apo mohimin e pakënaqësisë së qytetarëve.
“Duhet një reflektim serioz dhe një veprim konkret politik. Të mohosh realitetin, të tallesh me protestuesit, të polemizosh për numrin e tyre apo të ndjekësh teori konspirative duke injoruar thelbin e çështjes, pra zemërimin qytetar, do të thotë të luash me zjarrin. Shqipëria meriton më shumë”, deklaroi Bushati për Il Foglio.
Artikulli analizon gjithashtu zhvillimet politike të viteve të fundit, protestat që po zhvillohen në vend dhe perceptimin ndërkombëtar për situatën në Shqipëri, duke sjellë intervista dhe komente nga figura të ndryshme të jetës publike.
