Një ngjarje tragjike ka ndodhur në plazhin e Otrantos, në Itali, ku një 54-vjeçar humbi jetën pak çaste pasi arriti të shpëtonte dy fëmijët e tij binjakë nga rrymat e forta detare.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi paraditen e së shtunës, rreth orës 11:30. Dy fëmijët 8-vjeçarë, të cilët ndodheshin në det, u tërhoqën nga rrymat dhe nisën të largoheshin nga bregu.
Babai i tyre, Gennaro Cagnazzo, u fut menjëherë në ujë pasi dëgjoi thirrjet për ndihmë dhe arriti t’i nxirrte të dy fëmijët në breg, duke i shpëtuar nga rreziku.
Megjithatë, pak momente pasi doli nga deti, 54-vjeçari u ndje keq dhe u rrëzua në breg.
Pushuesit e pranishëm dhe ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë dhe kryer manovrat e reanimimit, por përpjekjet për t’i shpëtuar jetën rezultuan të pasuksesshme.
Sipas dyshimeve paraprake të autoriteteve, 54-vjeçari mund të ketë pësuar një problem të rëndë shëndetësor si pasojë e sforcimit fizik gjatë përpjekjes për të shpëtuar fëmijët. Rrethanat e plota të ngjarjes po hetohen nga autoritetet italiane.
