Protesta para Kryeministrisë, aktivistja kërkon hetim për përdorimin e forcës dhe lirimin e protestuesve të ndaluar

Data

Gjatë protestës së 34-të antiqeveritare para Kryeministrisë, aktivistja Sidorela Vatnikaj lexoi një deklaratë ku ngriti shqetësime për përdorimin e forcës nga Policia e Shtetit gjatë protestës së një dite më parë.

Ajo iu referua gjetjeve të publikuara nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili ka shprehur shqetësim për përdorimin e forcës dhe ka kërkuar respektimin e standardeve ligjore gjatë menaxhimit të tubimeve.

Sipas Vatnikajt, protesta është një e drejtë kushtetuese dhe çdo ndërhyrje ndaj saj duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit.

“Dënojmë përdorimin e gazit pa paralajmërim, shtyrjen e protestuesve dhe çdo tejkalim të kompetencave nga ana e forcave të policisë,” deklaroi ajo.

Aktivistja kërkoi që autoritetet të zhvillojnë një hetim të pavarur për çdo rast të dyshuar të përdorimit të tepruar të forcës dhe që, sipas saj, çdo punonjës policie që ka vepruar në kundërshtim me ligjin të mbajë përgjegjësi.

Në deklaratën e saj, Vatnikaj kërkoi gjithashtu lirimin e protestuesve të ndaluar, duke argumentuar se ndalimet arbitrare dhe përdorimi i dhunës nuk duhet të shërbejnë si mekanizma për të penguar ushtrimin e së drejtës për protestë.

Protesta para Kryeministrisë vijoi me fjalime të aktivistëve dhe organizatorëve, ndërsa pjesëmarrësit përsëritën kërkesat e tyre për ndryshime politike dhe institucionale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related