Organizatorët e protestave kundër qeverisë kanë njoftuar zhvillimin e protestës së 34-t radhazi në Tiranë. Sipas planit të bërë publik, pjesëmarrësit do të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime dhe do të paraqiten kërkesat e protestës.
Sipas organizatorëve, protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Lëvizja, e cila nisi si reagim ndaj projektit të investimit në Zvërnec, është zgjeruar me kërkesa të tjera politike dhe institucionale.
Organizatorët kanë bërë të ditur se kërkesat kryesore përfshijnë:
- Dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë.
- Krijimin e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor.
- Ndryshime kushtetuese dhe reforma në legjislacionin zgjedhor, përfshirë ndryshime në Kodin Zgjedhor, financimin e partive politike dhe kufizimin e mandateve të kryeministrit.
- Shfuqizimin e disa ndryshimeve ligjore, përfshirë ato që lidhen me zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, Paketën e Maleve dhe kuadrin ligjor për investimet strategjike.
- Hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes një procesi konsultimi publik.
Gjatë protestave të deritanishme janë artikuluar edhe thirrje për lirimin e personave të arrestuar pas përplasjeve të fundit me policinë, si dhe slogane kundër qeverisë dhe klasës politike.
Organizatorët kanë njoftuar gjithashtu zhvillimin e një proteste kombëtare më 4 korrik, për të cilën kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare.
