Rama për DW: “Dorëheqja ime nuk është opsion”

Data

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Deutsche Welle, komentoi protestat që po zhvillohen në Shqipëri, projektet e investimeve turistike, përdorimin e inteligjencës artificiale në qeverisje dhe procesin e integrimit europian.

Lidhur me protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, Rama deklaroi se ato janë shprehje e lirisë demokratike dhe se qeveria ka detyrimin të dëgjojë mesazhet e qytetarëve, por hodhi poshtë pretendimet se në Shqipëri ka një krizë besimi ndaj institucioneve.

I pyetur për projektet turistike të lidhura me investitorë të huaj, ai tha se prioritet i qeverisë mbetet tërheqja e investimeve dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Rama mohoi se projektet parashikojnë privatizim të hapësirave publike, duke i cilësuar këto pretendime si të pabazuara.

Në lidhje me ndryshimet në legjislacionin mjedisor, kryeministri argumentoi se ato nuk bien ndesh me standardet e Bashkimi Europian dhe do të verifikohen gjatë procesit të negociatave për anëtarësim.

Rama foli edhe për ndikimin e algoritmeve të rrjeteve sociale, duke argumentuar se ato favorizojnë përmbajtje konfliktuale dhe dezinformuese më shumë sesa informacionin e verifikuar. Sipas tij, kjo përbën një sfidë për demokracitë moderne.

I pyetur nëse ka menduar dorëheqjen për shkak të protestave, Rama u përgjigj se kjo “nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë një opsion”. Ai theksoi se mandati i qeverisë buron nga rezultati i zgjedhjeve dhe se objektivi kryesor mbetet përmbyllja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në fund të intervistës, kryeministri pranoi se vendi përballet me sfida në fusha si shëndetësia dhe administrata publike, por argumentoi se këto probleme duhet të adresohen përmes mandatit të fituar në zgjedhje dhe jo përmes dorëheqjes së qeverisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related