Mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore është shoqëruar me tensione dhe një debat të ashpër mes deputetit socialist Ulsi Manja dhe deputetit demokrat Ivi Kaso.
Sipas diskutimeve në komision, përplasja nisi pasi Kaso ndërhyri disa herë gjatë fjalës së Manjës, duke shkaktuar reagimin e këtij të fundit.
Gjatë debatit, Manja i kërkoi Kasos të mos e ndërpriste dhe përdori gjuhë fyese ndaj tij.
Në fjalën e tij, Manja u shpreh se rendi i ditës kishte të bënte me një seancë dëgjimore dhe kujtoi se drejtuesi i SPAK pritet të raportojë më 3 korrik mbi luftën kundër kriminalitetit.
“Do t’ju kërkoja t’i përmbaheni rendit të ditës,” tha Manja, përpara se debati mes palëve të përshkallëzohej.
Kryesuesit e mbledhjes ndërhynë për të rikthyer normalitetin në diskutime. Bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri, sqaroi se përfaqësuesit e institucioneve ishin ftuar për të diskutuar mbi çështjet që lidhen me krimet zgjedhore dhe bëri thirrje që mbledhja të vijonte në mënyrë konstruktive.
