Aksidentet rrugore kanë shënuar rritje në Shqipëri gjatë muajit maj 2026, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT).
Raporti tregon se gjatë muajit maj janë regjistruar 133 aksidente rrugore, nga 116 të regjistruara në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Si pasojë e këtyre ngjarjeve, 181 persona kanë mbetur të vrarë ose të plagosur, krahasuar me 157 persona një vit më parë.
Edhe në pesëmujorin e parë të vitit vihet re një tendencë në rritje. Nga janari deri në maj janë regjistruar 547 aksidente rrugore, ose 3.4 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas INSTAT, qarku i Tiranës ka shënuar rritjen më të madhe të aksidenteve, me 53 raste në muajin maj, nga 30 që ishin në maj të vitit 2025.
Rritje është regjistruar edhe në qarqet e Durrësit dhe Vlorës, të cilat kanë shënuar nga 11 aksidente secila, kundrejt 7 rasteve një vit më parë. Po ashtu, në Elbasan numri i aksidenteve është rritur nga 6 në 7, ndërsa në Berat është regjistruar një aksident, ndërkohë që në maj të vitit të kaluar nuk ishte raportuar asnjë.
Në të kundërt, disa qarqe kanë shënuar ulje të numrit të aksidenteve. Shkodra ka regjistruar rënien më të madhe, nga 13 në 7 aksidente, ndërsa ulje janë evidentuar edhe në Lezhë (nga 15 në 11), Korçë (nga 9 në 6) dhe Gjirokastër (nga 8 në 5). Në Fier, Dibër dhe Kukës numri i aksidenteve ka mbetur pothuajse i pandryshuar.
Raporti i INSTAT evidenton se 94 për qind e aksidenteve të ndodhura gjatë muajit maj janë shkaktuar nga sjellja e drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 25–34 vjeç përbën 30.8 për qind të drejtuesve të përfshirë në aksidente.
Sa i përket shpërndarjes në kohë, dita e diel rezulton me numrin më të lartë të aksidenteve, duke përfaqësuar 18 për qind të totalit, ndërsa intervali kohor 08:00–12:00 mbetet periudha gjatë së cilës regjistrohen më shumë aksidente rrugore.
