Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se është nisur drejt Vjenës për të marrë pjesë në punimet dyditore të Asamblesë Politike të Partisë Popullore Evropiane (PPE).
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha bëri të ditur se në rendin e ditës së Asamblesë do të diskutohet raporti i misionit faktmbledhës të përfaqësuesve të 30 partive anëtare të PPE-së, të cilët vizituan Shqipërinë disa muaj më parë me kërkesë të Partisë Demokratike për t’u njohur me situatën politike në vend.
Sipas kreut të opozitës, një tjetër çështje e rëndësishme në axhendën e punimeve do të jetë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian.
“Miq, sot udhëtova për në Vjenë për të marrë pjesë në punimet dyditore të Asamblesë Politike të PPE-së.
Në rendin e ditës së punimeve të Asamblesë është edhe diskutimi i raportit të misionit faktmbledhës të përfaqësuesve të 30 partive anëtare të PPE-së, që erdhën para disa muajsh në Shqipëri me kërkesë të Partisë Demokratike për t’u njohur me gjendjen në vend.
Në rend dite është edhe çështja e zgjerimit të BE-së”, shkruan Berisha.
Asambleja Politike e PPE-së mbledh përfaqësues të partive anëtare për të diskutuar zhvillimet politike në vendet anëtare dhe kandidate, si dhe prioritetet e familjes më të madhe politike të qendrës së djathtë në Evropë.
