Analisti Ben Andoni ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe protestat qytetare, duke u shprehur se lëvizja aktuale pasqyron një kërkesë të gjerë për ndryshim dhe se sistemi politik ka nevojë për reforma të thella.
Në një intervistë televizive, Andoni deklaroi se energjia e protestës duhet të ruhet dhe të kanalizohet drejt objektivave konkrete, ndërsa theksoi se qytetarët kërkojnë një “Shqipëri normale”, ku institucionet funksionojnë dhe respektohet shteti ligjor.
“Ne duam Shqipërinë normale dhe kjo Shqipëri që po jetojmë nuk është Shqipëria normale,” u shpreh ai.
Sipas Andonit, organizatorët kanë përgjegjësi të madhe për të mbajtur gjallë motivimin e protestuesve, duke theksuar se rëndësi ka vazhdimësia e angazhimit qytetar, pavarësisht luhatjeve në pjesëmarrje.
Analisti u shpreh kritik edhe ndaj reagimit të kryeministrit Edi Rama ndaj protestuesve, duke argumentuar se do të ishte e nevojshme një reflektim më i madh politik.
“Në mendimin tim, zoti Rama e kupton që e ka tepruar, por nuk pranon të bëjë një mea culpa dhe vazhdon me ironi ndaj protestuesve,” deklaroi Andoni.
Ai shtoi se vendi ka nevojë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe rikthimin e disa elementeve të sistemit zgjedhor që, sipas tij, ndryshuan në vitin 2008. Në të njëjtën kohë, ai parashikoi se protesta mund të prodhojë forca të reja politike.
“Besoj se kjo protestë në të ardhmen do të prodhojë formacione të reja politike që shkojnë përtej Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, sepse të dyja këto parti nuk e përfaqësojnë më Shqipërinë,” tha ai.
Andoni vlerësoi se pakënaqësia qytetare ushqehet nga problematika të shumta në administratë dhe institucione, duke përmendur çështjet e pronësisë, funksionimin e Kadastrës dhe sistemin e drejtësisë si disa nga shqetësimet kryesore.
Në përfundim, ai ritheksoi se synimi duhet të jetë ndërtimi i një shteti normal dhe funksional.
“Unë nuk dua një ‘Shqipëri të re’. Dua një Shqipëri normale, ku respektohen ligji, pronat dhe qytetarët, si në vendet e tjera demokratike,” përfundoi Andoni.
