Sot do të zhvillohet në Tiranë protesta e 28-të kombëtare kundër qeverisë, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve nga i gjithë vendi dhe të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Sipas njoftimit të organizatorëve, grumbullimi i protestuesve do të nisë në orën 19:00 në Sheshin “Skënderbej”, prej nga marshimi do të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë.
Në protestë pritet të marrin pjesë edhe emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme, të cilët i janë përgjigjur thirrjes për t’iu bashkuar mobilizimit qytetar në kryeqytet.
Kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese, ndërsa ftojnë qytetarët të marrin pjesë në atë që e cilësojnë protestën e 28-të radhazi.
Pjesëmarrësit kanë bërë të ditur se protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore, me marshim dhe fjalime publike, duke kërkuar, sipas tyre, ndryshime politike, transparencë dhe llogaridhënie institucionale.
