Njëri nga organizatorët e protestave qytetare, Klajdi Bello, deklaroi në një intervistë televizive se qeveria është, sipas tij, e delegjitimuar politikisht dhe se protestat kanë krijuar një frymë të re mobilizimi qytetar në vend.
Bello u shpreh se lëvizja ka rikthyer besimin e qytetarëve për t’u organizuar përtej ndarjeve politike, duke e cilësuar atë si një angazhim për mbrojtjen e identitetit kombëtar.
“Qeveria është totalisht e delegjitimuar në të gjitha prizmat. Shqiptarët kishin humbur besimin se mund të shkonim përtej partive, por tashmë prej 26 ditësh ka një frymë kombëtare dhe sot kemi dalë për identitetin kombëtar”, tha ai.
Aktivisti akuzoi qeverinë për përdorimin e mekanizmave intimidues ndaj pjesëmarrësve në protesta, ndërsa theksoi se problemi më i madh me të cilin përballet vendi është shpopullimi dhe largimi i të rinjve, profesionistëve dhe fuqisë punëtore.
Sipas Bellos, reagimet e kryeministrit Edi Rama ndaj aktivistëve tregojnë se protestat kanë filluar të prodhojnë efekt politik.
“Ai postim që kryeministri e mori dhe godet aktivistët tregon se po i bëjmë gjërat në mënyrën e duhur”, u shpreh ai.
Në deklaratën e tij, Bello kritikoi edhe Bajram Begaj, ndërsa e cilësoi protestën si një “lëvizje gandiste”, duke theksuar se ajo synon ndryshimin përmes rezistencës paqësore.
Duke folur për organizimin e protestave, ai tha se angazhimi i diasporës shqiptare pritet të arrijë kulmin më 4 korrik.
“Është mahnitëse sesi të huajt më flasin me detaje për atë që po ndodh në Shqipëri. Organizimi i diasporës do të kulmojë më 4 korrik, ata s’po i mban më vendi”, përfundoi Bello.
