Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian është i pakthyeshëm, duke theksuar se asnjë faktor nuk mund ta ndalë rrugën evropiane të vendit.
Në një intervistë për agjencinë italiane Italpress, Rama u shpreh se krizat duhet të shërbejnë si mundësi për reflektim dhe përparim.
“Siç thoshte Churchill, nuk duhet humbur kurrë një krizë e mirë. Ka gjëra nga të cilat duhet të mësojmë, por askush nuk mund ta ndalë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, tha ai.
Duke komentuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, kryeministri vlerësoi se debati i krijuar rreth saj ishte i tepruar.
“Është bërë shumë zhurmë për një përpjekje të bërë me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje. Fakti që sot kjo qasje është pranuar tregon se është humbur kohë në përplasje të panevojshme”, u shpreh Rama, duke shtuar se sfida kryesore mbetet shmangia e vonesave në arritjen e qëndrimeve të përbashkëta.
Kryeministri komentoi edhe protestat e lëvizjes “Revolucioni i Flamingove”, të cilat kundërshtojnë projektin turistik në jug të vendit. Sipas tij, akuzat ndaj qeverisë janë të pabazuara dhe deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë që të mbështesë pretendimet.
“Po të isha në vendin e protestuesve dhe të dëgjoja vetëm akuzat, ndoshta do të ndihesha njësoj. Por nëse do të dëgjoja edhe shpjegimet e qeverisë dhe faktin se nuk ka prova për ato që pretendohet, do të isha qetësuar”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se procesi për projektin është ende në fazën e negociatave dhe se nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje përfundimtare, ndërsa për një tjetër zhvillim privat në zonë, sipas tij, shteti nuk ka rol dhe procedurat administrative vijojnë ende.
Në fund të intervistës, Rama tha se debati ka kaluar tashmë përtej çështjes së flamingove, duke argumentuar se simboli i protestës po përdoret për ta ndërkombëtarizuar konfliktin, ndërsa në planin e brendshëm ai lidhet me përplasjet politike dhe kundërshtimin e qeverisë.
