Pacolli kërkon hetim nga SPAK për situatën në Aeroportin e Vlorës: Të zbardhen dëmet dhe përgjegjësitë

Data

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka bërë thirrje publike ndaj Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për nisjen e një hetimi të plotë lidhur me situatën e krijuar në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Në një reagim publik, Pacolli pretendon se gjatë periudhës së mosmarrëveshjeve për administrimin e projektit janë shkaktuar dëme materiale, vjedhje dhe shkatërrime të pajisjeve dhe aseteve të kompanisë, duke kërkuar identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

Sipas tij, përfaqësuesit e kompanisë Mabco dhe nënkontraktorët e saj janë rikthyer në kantier pas një periudhe të gjatë mosmarrëveshjesh dhe aktualisht po kryejnë inventarizimin e pajisjeve, materialeve dhe infrastrukturës së projektit.

Pacolli pretendon se gjatë kësaj periudhe janë dëmtuar ose humbur pajisje të rëndësishme të destinuara për funksionimin e aeroportit, si dhe mjete pune në pronësi të kompanive të përfshira në projekt.

Në deklaratën e tij, biznesmeni ngre gjithashtu dyshime për mbështetje ose tolerim institucional ndaj personave që, sipas tij, kanë penguar funksionimin normal të projektit, duke kërkuar një hetim të pavarur dhe gjithëpërfshirës.

“Koha për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë përgjegjësit para drejtësisë është tani”, shprehet Pacolli në reagimin e tij.

Ai u bëri thirrje institucioneve shtetërore që të garantojnë sigurinë e punonjësve dhe vijimin normal të punimeve, duke theksuar se kompania do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e saj ligjore dhe interesat e investimit.

Deklarata vjen në vazhdën e tensioneve të raportuara në Aeroportin e Vlorës, ku prej ditësh po zhvillohet një përplasje ligjore dhe administrative mes palëve që pretendojnë të drejtën e administrimit të projektit.

Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet e përmendura në deklaratë lidhur me pretendimet e ngritura nga Pacolli. Ndërkohë, autoritetet pritet të sqarojnë pozicionin e tyre mbi zhvillimet e fundit në një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related