Parlamenti Europian ka publikuar raportin përfundimtar për Shqipërinë për vitin 2026, ku evidentohen një sërë sfidash që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e medias.
Raporti vlerëson progresin e bërë në disa fusha, por thekson se korrupsioni vijon të mbetet një nga problemet më serioze me të cilat përballet vendi. Eurodeputetët kërkojnë rezultate më konkrete në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin përfundimtar të zyrtarëve të përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë.
Një nga pikat kryesore të raportit është rënia e Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, nga vendi i 80-të në vitin 2024 në vendin e 91-të në vitin 2025. Sipas Parlamentit Europian, kjo tregon se nevojiten masa më të forta për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur besimin e qytetarëve te institucionet.
Raporti nënvizon se, megjithëse kuadri ligjor është përmirësuar, korrupsioni vazhdon të mbetet një shqetësim serioz. Për këtë arsye, autoritetet shqiptare inkurajohen të forcojnë kapacitetet e institucioneve ligjzbatuese dhe të garantojnë hetime efektive ndaj rasteve të korrupsionit.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Parlamenti Europian kërkon që SPAK të vazhdojë të ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të pavarur, me burime të mjaftueshme financiare dhe operative, pa ndërhyrje që mund të kufizojnë kompetencat hetimore apo të cenojnë punën e institucionit.
Po ashtu, raporti kërkon përpjekje më intensive për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që burojnë nga aktivitetet kriminale, duke e konsideruar këtë një element kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në dokument përmenden gjithashtu shqetësime që lidhen me lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe nevojën për të garantuar një mjedis më të lirë dhe më të sigurt për ushtrimin e profesionit të gazetarit.
Raporti i Parlamentit Europian konsiderohet një tregues i rëndësishëm për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe një sinjal se progresi në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor mbetet vendimtar për avancimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
