Policia procedon 16 protestues në Tiranë, dy të tjerë shpallen në kërkim për bllokimin e akseve rrugore

Data

Policia e Tiranës ka njoftuar se ka proceduar penalisht 16 persona të dyshuar për përfshirje në bllokimin e akseve rrugore gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit zyrtar, personat e proceduar dyshohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Autoritetet bëjnë me dije se, bazuar në veprimet hetimore të deritanishme, disa prej pjesëmarrësve kanë nxitur vazhdimin e tubimit përtej orarit të njoftuar zyrtarisht nga organizatorët, nga ora 18:00 deri në 22:00. Sipas policisë, mosrespektimi i perimetrit të përcaktuar për protestën ka sjellë bllokim të qarkullimit të automjeteve dhe pengesa në lëvizjen e qytetarëve.

Në njoftim thuhet gjithashtu se një grup protestuesish ka hyrë në hapësirën e “Fan Zone” në Sheshin “Skënderbej”, zonë e dedikuar për ndjekjen e aktiviteteve sportive, duke ndërprerë zhvillimin normal të aktivitetit dhe duke u bërë thirrje qytetarëve të pranishëm që t’i bashkoheshin protestës.

Policia ka shpallur në kërkim dy persona të identifikuar me inicialet E.Q. dhe M.C., ndërsa po vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në organizimin apo zhvillimin e veprimeve që konsiderohen në kundërshtim me ligjin.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, policia kujton se vetëm dy ditë më parë kishte nisur procedimi penal edhe ndaj 19 personave të tjerë në lidhje me protestat.

Në përfundim të reagimit të saj, Policia e Tiranës u ka bërë thirrje organizatorëve të tubimeve që të respektojnë oraret, itineraret dhe perimetrin e miratuar për zhvillimin e protestave, me qëllim shmangien e bllokimit të qarkullimit dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related