Prej tre ditësh vijojnë kërkimet intensive në Liqenin e Ulzës për gjetjen e trupit të 37-vjeçarit Armando Zajsi, i cili rezulton i zhdukur pasi u rrëzua nga një mjet lundrues tip Jet Ski në ujërat e liqenit.
Në operacion janë angazhuar palombarët e forcave speciale RENEA, Forcat Speciale Detare dhe efektivë të Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë vijuar kontrollin e zonës ku dyshohet se 37-vjeçari u zhyt dhe humbi kontaktet me shokët e tij.
Deri më tani, operacioni nuk ka dhënë rezultat, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë përdorimin e një droni nënujore të sjellë nga strukturat detare të Vlorës për të ndihmuar në kërkime.
Sipas informacioneve paraprake, Armando Zajsi kishte shkuar në Ulëz së bashku me disa miq për aktivitete rekreative. Gjatë lundrimit me Jet Ski, ai është rrëzuar në ujë dhe ka tentuar të rikthehet te mjeti lundrues, por pas pak çastesh është zhdukur në thellësi.
Miqtë e tij kanë tentuar t’i vijnë në ndihmë, por kur kanë mbërritur pranë mjetit nuk kanë mundur ta shohin më 37-vjeçarin.
Sipas ekspertëve të angazhuar në operacion, kërkimet paraqiten të vështira për shkak të thellësisë së madhe të liqenit, e cila në zonën ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja arrin deri në 40 metra. Vështirësi shtesë krijon edhe afërsia me digën e Hidrocentrali i Ulzës, ku kushtet nënujore janë më komplekse.
Familjarët e Armando Zajsit ndodhen pranë vendit të ngjarjes dhe po ndjekin nga afër operacionin, me shpresën që kërkimet të përfundojnë sa më shpejt dhe të zbardhet fati i 37-vjeçarit.
