Klodian Braho: Reforma në drejtësi dhe vettingu kanë rritur besimin e qytetarëve te sistemi

Data

Kreu i SPAK, Klodian Braho, vlerësoi procesin e vettingut si një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në transformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë.

Gjatë një konference të zhvilluar mbi rezultatet dhe ndikimin e reformës në drejtësi, Braho theksoi se rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka sjellë standarde më të larta profesionalizmi dhe integriteti.

“Vettingu ndikoi në ripërtëritjen e sistemit të drejtësisë. Besimi i qytetarëve tek drejtësia nuk mund të kërkohet pa përgjegjshmëri individuale. Gjyqtarët dhe prokurorët tashmë kanë kaluar në filtra të sigurt, që qytetarët të krijojnë besim tek drejtësia”, deklaroi ai.

Sipas Brahos, procesi i vettingut ka pasur një rëndësi të veçantë edhe për funksionimin e SPAK-ut, duke ndihmuar në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë dhe forcimin e standardeve të punës.

“Për SPAK, vettingu ka pasur një rol të veçantë. Tashmë drejtësia përfaqëson interesin publik me profesionalizëm dhe paanshmëri. Institucionet e dala nga reforma në drejtësi kanë arritur një nivel të rëndësishëm pjekurie institucionale”, u shpreh ai.

Në të njëjtën konferencë mori pjesë edhe Artur Metani, i cili vlerësoi rezultatet e procesit të rivlerësimit të magjistratëve.

Metani theksoi se organet e vettingut kanë kryer një proces të thelluar verifikimi të integritetit dhe aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke larguar nga sistemi ata që nuk plotësonin kriteret ligjore.

Sipas tij, falë reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut, sistemi gjyqësor shqiptar konsiderohet sot më i besueshëm dhe më profesional krahasuar me periudhën para vitit 2016.

Konferenca u fokusua te rezultatet e arritura deri më tani nga reforma në drejtësi, si dhe te sfidat që mbeten për ruajtjen dhe forcimin e standardeve të vendosura në sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related