Pedagogia Arsejda Gjyli ka vlerësuar se protestat qytetare të javëve të fundit kanë nisur të prodhojnë efekte konkrete në jetën politike dhe institucionale të vendit, duke ndikuar si në intensifikimin e veprimeve të drejtësisë, ashtu edhe në reflektimin e partive politike.
E ftuar në një studio televizive, Gjyli u shpreh se presioni qytetar ka krijuar një klimë më të favorshme për avancimin e reformave dhe për forcimin e institucioneve të drejtësisë.
Sipas saj, protesta ka ndikuar që SPAK të veprojë me më shumë vendosmëri në hetimet e çështjeve me interes publik, ndërsa ka nxitur edhe debat të brendshëm në partitë e mëdha politike për mënyrën e funksionimit dhe përfaqësimit të tyre.
“Protesta i ka dhënë efektet e saj pozitive. Presioni qytetar ndihmon për të çuar përpara reformat, për të mbështetur drejtësinë e re dhe për të kërkuar më shumë llogaridhënie. Tashmë edhe SPAK-u duket se ka marrë më shumë zemër për të vepruar”, u shpreh ajo.
Gjyli komentoi gjithashtu largimin e deputetes Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalësorja”, nga grupi parlamentar socialist, duke e cilësuar këtë zhvillim si një sinjal të rëndësishëm politik.
Sipas saj, deklarata e deputetes se mandati i përket qytetarëve dhe jo partisë përbën një mesazh që duhet të merret seriozisht nga drejtuesit politikë.
“Akti i largimit të saj është një mesazh për reflektim. Brenda partive duhet parë më me kujdes përzgjedhja e përfaqësuesve, duke vlerësuar besimin që kanë te qytetarët dhe konsistencën në qëndrimet e tyre”, theksoi pedagogia.
Megjithatë, Gjyli u shpreh skeptike ndaj skenarëve që parashikojnë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama si rezultat i protestave, duke argumentuar se ndikimi më realist i tyre do të jetë nxitja e reformave, rritja e presionit për transparencë dhe demokratizimi i partive politike.
“Partitë e mëdha duhet të reflektojnë, të hapen ndaj brezit të ri dhe të forcojnë proceset demokratike të brendshme. Ky është efekti më i prekshëm dhe më i realizueshëm që protesta mund të prodhojë në këtë fazë”, përfundoi ajo.
