Zhupa takon delegacionin e Senatit francez, kërkon mbështetje për shfuqizimin e ligjit të ndërtimeve në zonat e mbrojtura

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka zhvilluar një takim me një delegacion të Komisionit të Jashtëm të Senatit francez, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë mbrojtja e zonave natyrore, zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit dhe legjislacioni shqiptar për zonat e mbrojtura.

Sipas Zhupës, delegacioni francez, i kryesuar nga Jean-François Rapin dhe i shoqëruar nga ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, shprehu interes për zhvillimet që lidhen me menaxhimin e territorit dhe ruajtjen e trashëgimisë natyrore në vend.

Deputetja demokrate deklaroi se gjatë takimit prezantoi shqetësimet e opozitës lidhur me Ligjin 21/2024, i cili sipas saj ka krijuar mundësi për lejimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Ajo bëri të ditur se ka depozituar një nismë për shfuqizimin e këtij ligji dhe kërkoi mbështetjen e partnerëve europianë për rikthimin e standardeve të mbrojtjes së natyrës në përputhje me praktikat e Bashkimit Europian.

“Diskutuam mbi rëndësinë e ruajtjes së pasurive natyrore dhe nevojën për zhvillim ekonomik që respekton mjedisin dhe interesin publik. Kërkova mbështetje për nismën që synon rikthimin e standardeve të mbrojtjes së zonave natyrore”, u shpreh Zhupa.

Sipas saj, senatorët francezë ndanë përvojën e Francës në ruajtjen e vijës bregdetare dhe administrimin e zonave të mbrojtura, duke evidentuar politikat afatgjata që kanë garantuar balancën mes zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu potenciali i Shqipërisë për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe cilësor, duke shfrytëzuar resurset natyrore dhe kulturore pa dëmtuar ekosistemet e ndjeshme.

Zhupa theksoi se bashkëpunimi me partnerët europianë, veçanërisht me Francën, mund të ndihmojë në ndërtimin e modeleve të zhvillimit që garantojnë mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e mundësive ekonomike afatgjata për komunitetet lokale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related