Rama sulmon protestuesit: Marshimi drejt Rinasit ishte budallallëk, protesta po dëmton Shqipërinë

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave që kanë hyrë në ditën e 16-të, duke kritikuar ashpër organizatorët dhe pjesëmarrësit e marshimit të zhvilluar një natë më parë drejt aeroportit të Rinasit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë deklaroi se protesta ka humbur lidhjen me kauzën fillestare të kundërshtimit të projekteve në Sazan dhe Zvërnec, ndërsa akuzoi organizatorët se po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik.

Sipas Ramës, dokumentacioni dhe procedurat e ndjekura nga institucionet tregojnë se qeveria ka vepruar në përputhje me interesin publik dhe standardet ndërkombëtare.

“Kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin apo Zvërnecin. I gjithë dokumentacioni i procesit tregon qartë se qeveria ka vepruar në përputhje me interesin publik dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, shkruan Rama.

Kryeministri shprehet se protestat po krijojnë një perceptim negativ për vendin në kulmin e sezonit turistik, duke ndikuar sipas tij në anulimin e rezervimeve dhe duke dëmtuar ekonominë e familjeve që varen nga turizmi.

Një pjesë e veçantë e reagimit i kushtohet marshimit drejt aeroportit të Rinasit, të cilin Rama e cilëson si një veprim ekstrem që pengoi lëvizjen e qytetarëve dhe shkaktoi bllokime të konsiderueshme.

“Kjo protestë degradoi në një turmë të drejtuar nga mendje të liga dhe duar të këqija drejt rrugës së aeroportit, duke bllokuar mijëra njerëz në lëvizjen e tyre të lirë”, thekson ai.

Rama shprehu gjithashtu keqardhje për të rinjtë që morën pjesë në marshim, duke deklaruar se ata u manipuluan nga individë që, sipas tij, synojnë të dëmtojnë vendin.

“Keqardhje për të rejat dhe të rinjtë e zhgënjyer që marshuan qorrazi drejt Rinasit në emër të një revolucioni imagjinar, derisa e kuptuan vetë se çfarë budallallëku kishin bërë”, shkroi kryeministri.

Në fund të reagimit të tij, Rama argumentoi se përfituesit e vetëm të kësaj situate do të jenë vetë qeveria dhe Partia Socialiste. Sipas tij, ekzekutivi do të nxjerrë mësime nga shqetësimet legjitime të qytetarëve, ndërsa PS do të dalë më e fortë politikisht pasi të kalojë kjo periudhë tensioni.

“Kur të shpërndahet mjegulla, Partia Socialiste do të shfaqet më e madhe dhe më e fortë në qendër të skenës politike shqiptare”, përfundon Rama.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related